Lidhje

Shqipëria në zi për vrasjen e katër agjentëve të forcave speciale

  • Armand Mero
  • Tiranë

Shqipëria do të jetë sot në zi për vrasjen tragjike të katër agjentëve të forcave speciale të policisë të cilët mbetën të vrarë në një operacion për kapjen e një prej personave më të kërkuar të drejtësisë, Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e një biznesmeni 10 vjet me parë dhe i arratisur nga gjykata në vitin 2003.

Të katër agjentët e policisë të cilët rrethuan në zonën e plazhit të Durrësit automjetin e Dritan Dajtit, u shpallën mbrëmë nga qeveria dëshmor të kombit. Vetë Dajti është transportuar në Tiranë në gjendje të rëndë pas plagëve të marra gjatë shkëmbimit të zjarrit. Për ngjarjen reaguan autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës

Afër pesë orë pas ngjarjes së rëndë, bilancit më tragjik për policinë shqiptare, kryeministri Sali Berisha komunikoi mbrëmë se qeveria kishte vendosur që katër agjentët e repartit të operacioneve special, një njësi e krijuar para disa vitesh për të goditur krimin e organizuar, të shpalleshin dëshmorë të kombit. "Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, ranë në krye të detyrës në një operacion që ata ndërmorrën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar, Dritan Dajtin dhe bandën e tij", tha kryeministri ndërsa njoftoi se dita e sotme është shpallur ditë zie:

"Në të gjitha institucionet shtetërore, flamuri kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. Në orën 12.00 në nderim të katër "Dëshmorëve të Atdheut" të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. Homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e Policisë së Shtetit, do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre të bëhet në varrezat e Dëshmorëve te Kombit".

Reagimet për ngjarjen pasuan më vonë edhe nga presidenti Bamir Topi sipas të cilit "reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan me vetëmohim teksa e kryenin këtë detyrë fisnike".

Po ashtu edhe kryetari i partisë socialiste Edi Rama shpërndau një deklaratë në të cilën shpreh "keqardhje dhe indinjatë të thellë për ngjarjen tragjike si dhe gjithë solidaritetin e tij dhe të Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit në këtë orë kaq të vështirë" shkruhet në deklaratën e cila bën përgjegjëse autoritetet shtetërore ndërsa vazhdon duke theksuar se "ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni", u shpreh zoti Rama.

Për ngjarjen tragjike të ditës së djeshme nuk ka patur hollësira nga policia e shtetit e cila është mjaftuar me një komunikatë ku nuk jep shumë detaje për operacionin e organizuar për kapjen e një prej 10 personave më të kërkuar në të gjithë vendin. Një operacion mbi realizimin e të cilit janë ngritur pikëpyetje kryesisht për faktin se të katër agjentët e vrarë rezulton të kenë qenë pa antiplumb.

Policia kishte marrë informacione se Dritan Dajti strehohej në një banesë në plazhin e Durrësit në zonën e Ilirisë, aty ku dhe ndodhi shkëmbimi i zjarrit. Agjentët e policisë kanë konstatuar Dajtin të afrohet me një makinë dhe më pas të ndalojë. Sipas zëdhënësit të Policisë "në këtë moment trupa e operacioneve speciale e ngarkuar me këtë detyrë ka rrethuar mjetin e Dajtit për të bërë të mundur arrestimin e tij. Gjatë ndërhyrjes - po sipas versionit të policisë - Dajti ka qëlluar në mënyrë të menjëhershme duke vrarë 4 punonjës policie".

Vetë Dajti është plagosur rëndë dhe një person që shoqërohej me të, e që sipas policisë kishte precedentë kriminalë, ka mbetur i vrarë. Në spital ka shkuar edhe një i plagosur tjetër që mendohet të jetë kalimtar. Në makinën e Dajtit janë gjetur dy radio policie dhe dy armë pistoletë.

38 vjecari Dritan Dajti, u bë një personazh i njohur, më shumë prej arratisjes së tij spektakolare nga gjykata e Tiranë në nëntor të vitit 2003, ku ai arriti të siguronte një armë dhe të largohej. Dajti akuzohet për vrasjen e një biznesmeni në vitin 1999. Gjatë gjithë këtyre viteve është konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë dhe atij i janë veshur edhe ngjarje të tjera që kanë mbetur të pazbuluara.//kk//


XS
SM
MD
LG