Lidhje

Raul Uollenberg, suedezi që shpëtoi hebrejtë dhe fati i tij


Bamirësit suedez Raoul Wallenberg i njihet merita se shpëtoi dhjetra mijë hebrej hungarezë nga deportimi drejt kampeve naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në vitin 1945, kur trupat sovjetike morën nën kontroll Budapestin, ai u arrestua dhe nuk u pa më.

Këtë muaj ai do të kishte mbushur 97 vjeç dhe me rastin përvjetorit të lindjes, Fondacioni Ndërkombëtar Raoul Wallenberg i bëri përsëri thirrje zyrtarëve rusë të bëjnë publike dokumentet që mund të zbardhin fatin e tij.

Shumë nga njerëzit në të shtatëdhjetat ose tetëdhjetat që u mblodhën ditët e fundit në zyrat e fondacionit Wallenberg në Manhatan, kaluan nëpër terrorin nazist në Hungari. Të gjithë ata i janë mirënjohës një njeriu të vetëm për jetën e tyre, suedezit Raoul Wallenberg i cili administronte degën e Budapestit të agjencisë amerikane Komisioni për Refugjatët e Luftës.

Sipas këtyre dëshmitarëve, gjatë 6 viteve të tij në Hungari në vitin 1944, Wallenberg-u ndërhyri me guxim dhe pa bujë për të shpëtuar hebrejtë e destinuar drejt kampeve të përqendrimit duke u dhënë atyre letërnjoftimi suedeze fallso madje edhe kur aty pranë kishte trupa naziste apo trupa fashiste hungareze. Njerëzit e shpëtuar strehoheshin pastaj në ndërtesa të sigurta në të cilat Wallenberg-u vendoste tabela me mbishkrime si “Bibliotekë Suedeze”, për të treguar se ndërtesa kishte status diplomatik.

Kayla Kaufman, e cila sot është stërgjyshe, ishte ndër këta njerëz fatlumë që shpëtuan. Ajo u shpëtua bashkë me prindërit dhe tre motra e vëllezër.

"Në Talmud thuhet se kur shpëton një jetë është sikur ke shpëtuar gjithë botën. Sot, ne jemi 201 vetë në familje, në sajë të punës së tij të mrekullueshme dhe të guximshme. Të 100,000 vetët që ai shpëtoi, sot janë ndoshta 1 milion."

Zonja Kaufman nuk e takoi ndonjëherë Wallenberg-un, por thotë se i ati shpëtoi në sajë të tij përndryshe do të kishte përfunduar në kampet e përqendrimit.

"Kur e shihje këtë njeri, tregonte babai, nuk kuptohet se pse por nazistët gjithnjë i hapnin rrugë. Ai ishte njeri tërheqës dhe plot vendosmëri, dukej sikur thoshte: do ta bëj dhe askush nuk më ndal dot. Ishte i ri, 31 ose 32 vjeç."

Wallenberg-u, i cili vetë ishte i krishterë, e mbijetoi nazizmin por u arrestua nën akuzën se ishte agjent amerikan kur trupat ruse morën Budapestin në janar 1945. Dymbëdhjet vjet më pas, zyrtarët sovjetikë publikuan një dokument ku thuhej se Wallenberg-u kishte vdekur nga shkaqe natyrore në një burg të Moskës më 1947. Por sipas disa njoftimeve, mund të kuptohet se ai jetoi pas atij viti dhe prandaj mund të jetë ekzekutuar.

"Ende nuk e dimë se ç’ndodhi me të," thotë historiani i Holokaustit Mordecai Paldiel. Ai është thuajse i sigurt se zyrtarë të ish KGB-së që e dinë fatin e Wallenberg-ut duhet të jenë ende gjallë.

Prandaj, Fondacioni dhe të mbnijetuarit vazhdojnë t’i kërkojnë udhëheqësve rusë të lejojnë dëshmitarët të flasin dhe të publikojnë të gjithë dokumentet që lidhen me Wallenberg-un.

"Është në interes të të gjithëve, përfshirë autoritetet ruse, që të hedhin dritë mbi atë që ka ngjarë për ta sqaruar një herë e mirë.”

Për këtë qëllim, të mbijetuarit që banojnë në Nju Jork, u mblodhën në Manhatan me rastin e 97-vjetorit të ditëlindjes së Raoul Wallenberg-ut. Ata vunë nënshkrimet mbi një poster për fushatë botëroren "100,000 emra për 100,000 jetë," me synimin për zbardhjen e fatit të Wallenberg-ut. Kërkesa do t’i dorëzohet Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev. //ii

XS
SM
MD
LG