Lidhje

Shefi i OKB-së: Masa kundër dhunës seksuale ndaj grave


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon i bëri dje thirrje Këshillit të Sigurimit që të autorizojë ngritjen e një komisioni të pavarur hetimi në një përpjekje për të ndalur dhunën seksuale ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht në pjesë të pushtuara nga konflikti në Afrikë.

Zoti Ban i tha Këshillit me 15 anëtarë se palët në konfliktet e armatosura vazhdojnë pa u ndëshkuar të vënë me qëllim në shënjestër civilët përmes dhunës seksuale.

"Palët në konfliktet e armatosura përdorin dhunën seksuale me brutalitet. Ashtu si një granatë apo një armë, dhuna seksuale është pjesë e arsenalit të tyre për të plotësuar synimet e tyre ushtarake, politike, shoqërore dhe ekonomike".

Ai tha se në disa vende dhuna seksuale vazhdon edhe kur konflikti ka përfunduar.

"Në Burundi, Liberi dhe Sierra Leone, luftimet mund të kenë përfunduar, por dhuna seksuale vazhdon në përmasa shumë serioze".

Zoti Ban i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të autorizojë menjëherë ngritjen e një komisioni të pavarur hetimesh. Ky komision do të kishte detyrën të hetonte dhe të raportonte për shkeljen e ligjeve për të drejtat e njeriut në situata ku konflikti vazhdon në Çad, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan, ku si rebelët edhe forcat vendase të sigurisë janë akuzuar se kanë dhunuar seksualisht civilët në një shkallë të gjerë.

Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm për të krijuar një post të nivelit të lartë në OKB për gratë dhe konfliktin e armatosur, një mundësi që ai tha se po e merr në konsideratë.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Sjuzën Rajs i mbështeti rekomandimet e zotit Ban. Ajo sugjeroi mundësinë e dërgimit të ekipeve teknike të ndihmave në vendet e prekura për të ndihmuar në zhvillimin e aftësive për të luftuar dhunën seksuale në zonat e konfliktit. Por ajo tha se përparësia kryesore duhet të jetë t'i jepet fund mosndëshkimit.

"Ne duhet të sigurojmë që përdhunuesit dhe autorë të tjerë të dhunës seksuale të identifikohen dhe ndëshkohen. Ne duhet të ndërmarrim përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar akte të mëtejshme dhune seksuale, përfshirë intensifikimin e trajnimit për të drejtat e njeriut dhe marrjen e informacionit të plotë për forcat vendase të sigurisë. Po ashtu duhet kurim me cilësi dhe i përballueshëm për të mbijetuarit nga përdhunimi dhe abuzimi".

Vitin që kaloi, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1820 sipas së cilës të gjitha palët në konfliktet e armatosura menjëherë duhet t'u japin fund të gjitha akteve të dhunës seksuale kundër civilëve. Rezoluta po ashtu i paralajmëron ata që mund të kryejnë vepra të tilla se përdhunimi dhe forma të tjera dhune seksuale mund të përbëjnë krime lufte ose kundër njerëzimit, gjë që sjell si pasojë dënime të ashpra. //kk//

XS
SM
MD
LG