Lidhje

Lufta e vështirë kundër opiumit në Afganistan


Mbi 9,000 trupa britanike dhe 10,000 trupa amerikane shtesë janë dërguar në provincën Helmand të Afganistanit për të dëbuar talebanët dhe vendosur sigurinë në prag të zgjedhjeve kombëtar që mbahen në muajin gusht. Lufta kundër ekstremistëve ka qenë e ashpër dhe kjo duket edhe nga numri i viktimave në rritje. Por po aq e vështirë është bërë edhe lufta kundër kultivimit të shkallë të gjerë të opiumit.

Provinca Helmand në Afganistanin jugor është kthyer në vatër luftimesh të ashpra të forcave britanike dhe amerikane kundër ekstremistëve. Helmandi është bazë e Talebanit.

Pikërisht këtu kultivohet më tepër se gjysma e sasisë së opiumit të Afganistanit.

Afganistani prodhon mbi 90 përqind të opiumit në botë i cili kalohet pastaj kontrabandë përmes kufirit dhe shitet përfundimisht si heroinë.

Deri tani, përpjekjet kundër narkotikëve janë përqendruar te eliminimi i sipërfaqeve me opium.

Por Pol Bërk, drejtor në Këshillin Ndërkombëtar për Sigurinë dhe Zhvillimin, thotë se kjo nhuk bën gjë tjetër veçse u heq fshatarëve bukën e gojës dhe i detyron të bashkohen me ekstremistët për të mbajtur familjet.

"Sapo asgjëson 10 hektarë me opium, 10 hektarë të tjerë dalin diku tjetër dhe ndërkohë kemi krijuar 50 deri në 100 rekrutë të rinj të gatshëm t’i bashkohen kryengritjes."

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ekstremistët nxjerrin deri në 400 milion dollarë në vit nga opiumi, i cili financon aftësinë e tyre për të luftuar.

Kristofer Langton ka shërbyer për 32 vjet me radhë në ushtrinë britanike. Ai është tani analist në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike dhe thotë se opiumi po e komplikon misionin e Britanisë në Afganistan.

"Opiumi prodhon para për kryengritjen si dhe natyrisht për zyrtarët e korruptuar qeveritarë e të tjerët në Afganistan. Dhe, më në fund, ai prodhon heroinën në rrugët e Britanisë. Prandaj është gjithnjë në vemendjen e njerëzve. Çështja është se çfarë duhet bërë."

Opiumi mund të trafikohet lehtë përmes kufirit afgan që është plot të çara. Ky kamion sapo ka hyrë në Iran.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë t’i inkurajojnë fermerët afganë të rrisin bimë të tjera si grurë, shegë apo arra por nuk kanë mund të frenojnë kultivimin e opiumit.

Politika e re amerikane do të përqendrohet në moslejimin e opiumit për të dalë nga Afganistani me synimin që jo të ndëshkohet fermeri i thjeshtë por më tepër të priten rrugët e furnizimit me shpresën që një ditë opiumi të bëhet pa vlerë.

Por Pol Bërk thotë se Amerika dhe Britania do të ishte mirë të përkrahnin fushatën e organizatës së tij “Opium për Ilaçe”. Kjo do ta kthente një pjesë të opiumit afgan në morfinë për përdorim mjeksor në vende të ndryshme të botës.

"Në Afganistan kjo bimë është me shumicë. Le të përpiqemi dhe ta përdorim atë në shërbim të atyre që vuajnë nga kanceri kudo në botë."

Fushata “Opium për Ilaçe” do të bënte që fshatarët të cilët kultivojnë opium të mund të mbajnë gjithsesi familjet e tyre.

Kristofer Langton thotë se si teori kjo nuk është e keqe por tani nuk është koha për të ngritur në Afganistan një fabrikë për prodhimin e morfinës.

"Mendoj se në të ardhmen, kur të ketë stabilitet dhe qeverisja të jetë përmirësuar do të ketë një rast më të mirë për ta bërë këtë. Pra, është një ide shumë me vlerë dhe nuk duhet hedhur poshtë."

Ndërkohë që luftimet shtohen në prag të zgjedhjeve të ardhëshme të Afganistanit, lufta dhe rritja e numrit të viktimave kanë shkaktuar debate në Londër. Por për sa i përket luftës kundër opiumit, deputeti i opozitës, Adam Hollouej i Partisë Konservatore, thotë se kjo është pjesë e një beteje më të madhe për mendjet dhe zemrat e afganëve.

"Nëse duam të bëjmë për vete popullin, duhet t’i japim atij një alternativë. Është çmenduri t’i thuash tjetrit se nëse kultivon opium ne do të të shkatërrojmë fushat. Kjo nuk është mënyra për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve."

Deputeti britanik mendon se strategjia në Afganistan duhet të zhvendoset nga fusha e betejës te ndihma për afganët e thjeshtë. Sipas tij, kjo do të kishte një efekt të madh për mposhtjen e ekstremistëve dhe për të frenuar prodhimin e opiumit. //ii

XS
SM
MD
LG