Lidhje

Një myslimane në SHBA në luftë kundër stereotipeve


Ka njerëz në Perëndim, të cilët ushqejnë stereotipe negative ndaj fesë islame, veçanërisht kur është fjala tek roli i grave. Por një grua në Ohio thotë se ka ardhur koha për ndryshim. Kohët e fundit ajo u zgjodh si presidente e një qendre lokale islamike. Ajo mbikqyr aktivitetet e qendrës në komunitet, si dhe mbarëvajtjen e një shkolle dhe një xhamie, përfshirë edhe aktivitetin e Imamit. Synimi i saj është t'u tregojë atyre që s'i përkasin besimit islam se gratë myslimane mund të arrijnë çdo gjë që dëshirojnë:

Si shumë gra të tjera afgane, Salmena Sedikes i pëlqen jeta e qetë familjare në shtëpinë e saj në Toledo të Ohajos.Por ndryshe nga disa gra të tjera myslimane, Salmena është aktive edhe jashtë shtëpisë, në komunitetin mysliman të Toledo. Ajo është e para grua e zgjedhur si presidente e Qendrës Islamike Masxhid Saad, e cila përfshin një shkollë islamike dhe një xhami:

"Është detyrë e vështirë për këdo që zgjidhet. Ke përgjegjësi. Çdo sekond mendoj me vete: A do të jem në gjendje të përmbush detyrën si duhet?"

Toledo është një qytet i vjetër industrial në zemër të Shteteve të Bashkuara. Qendra Masjid lindi fillimisht si një hapësirë për lutje në një universitet të qytetit mbi 20 vjet më parë. Tani këtu ka një komunitet prej mbi 1 mijë vetësh. Gratë luajnë role të rëndësishme në të gjitha aspktet e jetës.

Salmena synon të ndryshojë perceptimet negative që ushqejnë disa ndaj fesë islame, veçanërisht kur është fjala tek roli i grave. Ajo thotë se rregulla të tilla që thonë se gratë nuk mund të arsimohen, se gratë nuk mund të dalin nga shtëpia, të pashoqëruara nga një i afërm mashkull, apo se duhet të mbulojnë kokën i kanë rrënjët në traditë dhe jo në fe. Ajo thotë se në fenë islame këto çështje janë në dorë të individit dhe nënvizon rolin që kanë luajtur gratë në shtëpinë e Profetit Muhamet.

"Ato nuk fshiheshin. Nuk i mbante njeri pas perdes apo prapa mureve. Ato shkonin në luftë, merreshin me biznes."

Edhe vetë Salmena luan rol të rëndësishëm në biznesin e familjes. Ajo mban faturat dhe regjistron llogaritë në kompiuter për servisin e makinave që ka hapur i shoqi, Ahmadi. Vetë i shoqi e nxiti të bëhej presidente e qendrës islamike.

"Kishim nevojë për dikë që të punonte e ta organizonte këtë komunitet. Ajo është e kualifikuar për këtë përgjegjësi. E mbështes plotësisht."

Salmena thotë se mënyra më e mirë për të ndryshuar stereotipet është përmes shembullit konkret. Ajo i nxit të rinjtë të angazhohen më shumë në aktivitetet e qendrës. Sot një grup vajzash po planifikojnë aktivitete rinore, por nuk pranojnë të japin komente për kameran. Salmena dëshiron që komuniteti mysliman të angazhohet edhe në aktivitete jashtë qendrës.

"Nuk kemi njerëz në politikë, nuk kemi njerëz të angazhuar në drejtimin e shoqërisë. Komuniteti nuk e shikon si përparësi, por për mua është përparësi."

Salmena do ta mbajë postin e presidentes për një vit. Në bazë të fesë islame, i vetmi post që nuk i lejohet femrës është ai i Imamit. Ajo i nxit gratë të marrin sa më shumë informacion, të angazhohen dhe të ngrenë zërin për të drejtat që u jep islami. //ad//


XS
SM
MD
LG