Lidhje

Junis Kenedi Shrajver, themeluese e Olimpikeve Speciale


Dje në shtetin Masaçusets vdiq në moshën 88-vjeçare Junice Kenedy Shrajver, themeluesja e Lojrave Olimpike Speciale. Ajo ishte një ndër 5 fëmijët e familjes Kenedi, e motra e ish presidentit Xhon Kenedi dhe e senatorit Eduard Kenedi. Eunice Shriver i krijoi Lojrat Olimpike Speciale në vitin 1968 për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara mendore.

Shumë njerëz i njohin zonjës Junice Kenedy Shrajver meritën se ndryshoi mënyrën se si konceptohen në botë personat me aftësi të kufizuara mendore.

"Mos i mbani ata larg diçkaje që mund t’u ndryshojë jetën, u jep atyre një vizion të ri apo u jep prindërve të tyre një vizion të ri për ta, thjesht sepse ata nuk dëshirojnë që dikush të thotë se fëmija e tyre nuk është si gjithë të tjerët."

Në vitin 1968, zonja Shriver themeloi Olimpiket Speciale, organizatë sportive që punon për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore. Përpjekjet e saj frymëzoheshin nga e motra e saj Rosemary, e cila po ashtu kishte probleme të shëndetit mendor.

Si fëmija e pestë në dinastinë e fuqishme politike Kennedy, tragjeditë nuk ishin të huaja as për zonjën Shrajver. Vëllai i saj, Presidenti Xhon Kenedi u vra në vitin 1963. Një tjetër vëlla, Bobi u vra në vitin 1968 gjatë fushatës presidenciale.

Pjestarë të tjerë të njohur të familjes përfshijnë vëllanë e saj, Senatorin Eduard Kenedi i cili aktualisht vuan nga kanceri në tru dhe dhëndrrin e saj, guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, i martuar me vajzën e saj Maria Shrajver.

Në një deklaratë të familjes thuhej se jeta e saj i mëson njerëzit se ç’do të thotë të bësh një jetë plot dashuri dhe shërbim ndaj të tjerëve.

"Le të mos harrojmë se na duhet të bëjmë një rrugë të gjatë për të korrigjuar paragjykimet me të cilat ndeshen 180 milion qytetarë në botë me aftësi të kufizuara mendore."

Sot, më shumë se 3 milion atletë të Lojrave Olimpike Speciale stërviten gjatë gjithë vitit në të 50 shtetet amerikane dhe në 150 vende të botës. /ap.

XS
SM
MD
LG