Lidhje

Presidenti Obama nderon 16 persona me Medaljen e Lirisë


Presidenti Barak Obama u dha dje Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil, 16 njerëzve për kontribut të jashtëzakonshëm për vendin dhe botën. Duke folur në ceremoninë e dhënies së këtyre medaljeve në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se fituesit e këtij viti janë shembuj të një jete të mbushur me arritje. Ai tha se këta njerëz tregojnë se prova e vërtetë e jetës së një njeriu është ajo që ata bëjnë për dikë. Zoti Obama prezantoi secilin nga fituesit dhe foli për jetën e tyre.

Lista e të nderuarve përfshin veprimtarë, shkencëtarë, aktorë, humanitarë dhe atletë. Presidenti Obama thotë se ata të gjithë janë agjentë ndryshimi.

"Ata na kujtojnë se të gjithë e kemi fuqinë të realizojmë ëndrrat tona, të ndihmojmë për realizimin e ëndrrave të të tjerëve dhe për të rindërtuar botën për fëmijët tanë".

Disa nga fituesit janë mbrojtës të njohur të të drejtave të njeriut, mes së cilëve arqipeshkvi Desmond Tutu i Afrikës së Jugut.

"Shkëlqimi i syve dhe butësia e zërit janë të njohura për ne. Por cilësia kryesore e arqipeshkvit Desmond Tutu, siç thotë Nelson Mandela, është gatishmëria për të mbajtur qëndrime jopopullore pa frikë".

Mes të nderuarve ishin Xhozef Louri, një ikonë e lëvizjes amerikane për të drejtat civile dhe senatori Eduard Kenedi që vuan nga kanceri në tru. Po ashtu iu dha një çmim pas vdekjes edhe veprimtarit të vrarë të të drejtave të homoseksualëve dhe politikanit Harvi Milk.

"Pas shumë përpjekjesh ai u bë një nga amerikanët e parë që nuk e fshihte homoseksualitetin që u zgjodh në një post publik. Dhe mesazhi i tij i shpresës, shpresës pa turp, shpresës pa frikë, nuk mund të mbytej".

Në grupin e parë që zgjedh për të nderuar me Medaljen e Lirisë, presidenti kishte përzgjedhur disa gra që kanë lënë gjurmët e tyre në jetën e amerikanëve. Ai nderoi ish anëtaren e Gjykatës së Lartë Sandra Day O'Connorm studiuesen e kancerit Dr. Xhenet Dejvison Rouli, aktoren Çita Rivera si edhe lojtaren e madhe të tenisit Billi Xhin King që i ka kushtuar vite, krijimit të shanseve për gratë dhe vajzat në sport.

Ai po ashtu i dha Medaljen e Lirisë presidentes së parë grua të Irlandës dhe ish-Komisioneres së OKB-së për të drejtat e njeriut, Meri Robinson.

"Sot, si avokate e atyre që vuajnë nga uria, atyre që janë të dobët, të harruarve dhe të shpërfillurve, Meri Robinson jo vetëm që e ka kthyer vëmendjen tek vuajtja njerëzore, por ka hedhur dritë për një të ardhme më të mirë për botën tonë".

Sidni Poitier, i pari aktor afrikano-amerikan që ka fituar një Oscar, u nderua nga presidenti, po ashtu si edhe fizikani dhe shkrimtari i njohur Stiven Hoking.

Po ashtu me medalje u nderua edhe Muhamed Junus, fituesi i çmimit Nobel të Paqes në vitin 2006, pionier e një mënyre për të nxjerrë njerëzit nga varfëria përmes një programi bankash komuniteti që jep hua të vogla sipërmarrësve.

Junus e filloi programin e huave në Bangladesh, vendi i tij i lindjes. Para ceremonisë së çmimeve, ai u tha gazetarëve se shpreson që Medalja e Lirisë të ndihmojë që koncepti i huave të vogla të bëhet më i njohur.

"Është një moment shumë entuziazmues për mua sepse është një vlerësim i madh për idetë që unë kam mbështetur, u jep një mundësi njerëzve që t'u kushtojnë atyre vëmendje. Jam shumë i lumtur".

Medalja e Lirisë u dha për herë të parë në vitin 1945 si vlerësim për civilët për kontributin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhënia e saj u ripërtërit në vitin 1963 si mënyrë për të nderuar individët për shërbim të shkëlqyer nga të gjitha rrugët e jetës. //kk//

XS
SM
MD
LG