Lidhje

Ish nënpresidenti amerikan Dik Çeni do të botojë kujtimet


Sipas një gazete amerikane, ish nënpresidenti Dik Çeni beson se presidenti Xhorxh W. Bush, u mbështet më pak tek këshillat e tij gjatë mandatit të dytë dhe u përpoq të mbajë një qëndrim më afër publikut. Gazeta Uashington Post thotë se zoti Çeni, i cili është përshkruar si nënpresidenti më i fuqishëm amerikan, ka thënë se shumë nga sekretet e atëhershme tashmë janë bërë të njohura.

Gazeta citon biografin e tij Stivën Hejs, që thotë se zoti Çeni ka ndjenja të forta për ato që kanë ndodhur në administratën e presidentit Bush dhe se nuk sheh ndonjë arsye që të mos i shprehë këto pikëpamje drejtpërdrejt. Gazeta citon një pjesëmarrës në një nga diskutimet për librin me zotin Çeni, i cili thotë se ish nënpresidenti ka përshtypjen se zoti Bush i ishte larguar atij gjatë mandatit të dytë.

Ai shton gjithashtu se ish presidenti Bush ose nuk i kishte marrë shumë parasysh këshillat e zotit Çeni, ose i kishte kundërshtuar ato. I njëjti person citohet të ketë thënë se presidenti Bush kishte filluar të tregonte një farë pavarësie që zoti Çeni nuk e kishte pritur, ndërkohë që presidenti përpiqej të tregohej më i hapur ndaj mendimeve të publikut. Gazeta thotë se zoti Çeni, i zemëruar që presidenti Bush nuk ia kishte falur dënimin ndihmësit të tij të lartë në Shtëpinë e Bardhë Luis Libi, do t'i përshkruajë të gjitha debatet e tij me ish presidentin në librin që pritet të publikohet në vitin 2011.//kh//

XS
SM
MD
LG