Lidhje

Afganistani në prag të zgjedhjeve presidenciale


Autoritetet afgane do të hapin 7 mijë qendra votimi në mbarë vendin për zgjedhjet presidenciale të këtij muaji. Megjithëse komisioni i zgjedhjeve është i shqetësuar për sigurinë, votuesit në provincën jugore të Helmandit kanë tani shpresa se operacionet ushtarake amerikane dhe ato afgane kundër talebanëve do të kenë sukses.

Muajin e kaluar, marinsat amerikanë filluan “Operacionin Goditja e Shpatës” në provincën jugore Helmand të Afganistanit, për të dëbuar talebanët para zgjedhjeve presidenciale. Kanë kaluar pak javë dhe dhjetra afganë janë regjistruar për të votuar.

Operacioni amerikan pason një përpjekje të ngjashme me operacionin britanik “Kthetra e Panterës”.

“Ndihem i lumtur që jam në gjendje të regjistrohem dhe të votoj në zgjedhje. Shpresoj se këtu nuk ka probleme të sigurisë. Dua vetëm të kem mundësi të votoj në paqe për cilindo kandidat që kam dëshirë.”

35-vjeçari Abdul Samad e mirëpret gjendjen e përmirësuar të sigurisë.

“6 muaj më parë këtu kishte luftime, mungonte siguria dhe shumë njerëz u detyruan të largoheshin.”

Fshati Babaxhi në provincën e Helmandit, me shtëpi prej balte, fermat e këtij fshati dhe gjithë rrjeti i kanaleve vaditëse, kanë qenë për një kohë të gjatë bazë e kryengritësve talebanë.

Qindra ushtarë britanikë u përballën me rezistencë të ashpër, ndërsa përparonin drejt jugut për në Babaxhi dhe për në lumin Helmandi, një zonë strategjike në veri të kryeqytetit provincial, Lashkar Gah.

Korriku ishte muaji më vdekjeprurës për trupat ndërkombëtare në Afganistan, që nga ndërhyrja e forcave nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, në vitin 2001. Gjatë muajit korrik u vranë 20 ushtarë britanikë dhe të paktën 35 ushtarë dhe marinsa amerikanë.

Ja si shprehet Përfaqësuesi i posaçëm i Presidentit Obama për Pakistanin dhe Afganistanin, Richard Hollbruk:

“Këto zgjedhje do të zhvillohen sipas planit dhe Helmandi do të jetë në gjendje të marrë pjesë në to, në sajë të ofensivës që po udhëheqin gjenerali Nikolson dhe kolegët e tij.”

Majori Paddy Ginn, oficeri britanik që mbulon rajonin, e përshkruan kështu gjendjen në Helmand:

“Kur talebanët janë këtu, banorët mbështesin talebanët, kur ne jemi këtu, ata janë shumë miqësorë me ne dhe na mbështesin. Ajo që duhet të bëjmë tani, është ta zhvendosim ekuilibrin në avantazhin tonë, në mënyrë që ta kuptojnë se e ardhja dhe zgjidhja e tyre afatgjatë nuk është me talebanët, por me qeverinë e Afganistanit.”

Tony Cordsman, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se ajo që po ndodh në Helmand mund të shërbejë si model për objektivin që duan të arrijnë në mbarë Afganistanin forcat amerikane dhe ato të NATO-s.

“Ne mund të mos kemi zgjidhjen e përsosur për një të ardhme të qartë dhe të qëndrueshme në Helmand, por kjo është një nismë madhore kundër një armiku shumë real. Kjo nismë do të shërbejë si baza e suksesit të ardhshëm. Ndoshta ky nuk është momenti i duhur për këtë operacion, por të paktën po bëhen përpjekje të qarta dhe me një synim të qartë për ta përmirësuar gjendjen.”

Ekspertët thonë se nëse eksperimenti me Helmandin dështon, kjo do të jetë një përvojë, e cila mund të përmirësohet me kalimin e kohës. Ata thonë se nëse administrata e zotit Obama siguron burimet e nevojshme, është realiste të thuhet se brenda një periudhe 12-18 mujore mund të arrihet përparim i mirëfilltë. //bsa//

XS
SM
MD
LG