Lidhje

Xhoan Herring siguron ndihma humanitare për Afganistanin


Disa vjet më parë, njerëzit mësuan lidhur me një kapitull jo shumë të njohur të ndërhyrjes së vitit 1979 në Afganistan nga ish Bashkimi Sovjetik përmes një libri dhe më vonë, një filmi, të titulluar “Charlie Wilson’s War”. Charlie Wilson ishte një kongresmen nga Teksasi, i cili gjeti mënyra për financimin e kryengritësve afganë, me ndihmën e të dashurës së tij Joanne Herrings. Personazhi i Wilsonit interpretohet nga Tom Hanks dhe Herrings nga Julia Roberts. Zonja Herrings është tani 80 vjeç, por ajo vazhon të jetë shumë aktive në projektet për të ndihmuar Afganistanin, ku forcat amerikane dhe partnerët e tyre afganë po luftojnë kundër talebanëve. Ajo po e shfrytëzon tani ndikimin e madh që ka, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe atë social të vendit të shkatërruar nga lufta.

Në filmin e vitit 2007 “Charlie Wilson’s War”, Joanne Herring, e interpretuar nga Julia Roberts, arrin ta bindë kongresmenin e asaj kohe të Teksasit, Charlie Wilson, të gjejë fonde për financimin e rezistencës afgane. Zonja Herring vërtetë e angazhoi kongresmenin në kauzën e saj, por ajo thotë se disa skena të filmit ishin të sajuara.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur, që në mesin e një mbrëmjeje me miq në shtëpinë time, të shkoj në banjë për t’u futur në vaskë me dikë”.

Por Herring e vuri jetën e saj në rrezik kur shkoi në zonën e luftimeve në vitin 1980 dhe kur u kthye, ajo u përpoq shumë për të ndihmuar rezistencën afgane. Rreth 30 vjet më pas, ajo është përfshirë në një tjetër lloj projekti.

“Ne kemi propozuar një plan tërësisht humanitar, do të shkojmë nëpër fshatra për t’i ndihmuar banorët me ujë, ushqim, arsim dhe kujdes shëndetësor”.

Zonja Herring dhe grupet jo-qeveritare me të cilat ajo punon, duan të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe përparimin social në Afganistan, dhe të tregojnë njëkohësisht se forcat afgane dhe ato amerikane nuk ndodhen atje vetëm për të luftuar.

“Shumica e afganëve nuk kanë parë kurrë një amerikan që të mos ketë armë. Me shpresën se do të sigurojmë pak ndihmë nga qeveria, ne mund t’i vemë në jetë dhe shumëfishojmë planet tona".

Zonja Herring po bashkëpunon me një grup organizatash, për realizimin e projekteve, si hapjen e puseve të ujit, ndërtimi i shkollave dhe spitaleve.

“Ne nuk duam t’u japim atyre urdhëra. Duam t’i ndihmojmë në punën e tyre. Por synimi ynë është që ekipet që çojmë ta bëjnë gjithshka më mirë se kushdo tjetër në botë”.

Ajo thotë se fondet do të shpenzoheshin siç duhet, përderisa zhvillimi social dhe ekonomik synon edhe parandalimin e talebanëve, që ata të mos e kthejnë përsëri vendin në një bazë terroristësh.

“Ku stërviten udhëheqësit e tyre? Në Afganistan, asgjëkund tjetër. ... A mendoni se talebanët do të heqin dorë nga stërvitja e tyre?”

Por edhe pse administrata Obama vazhdon të dërgojë trupa të tjera për të luftuar kundër talebanëve, ka kritikë të luftës, që bëjnë thirrje për një tërheqje nga Afganistani, përmes negociatave. Joanne Herring mendon se Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë për të qëndruar atje, përsa kohë që afganët të ndërtojnë një shoqëri moderne dhe të zhvilluar, si dhe të bëhen të aftë për të mbrojtur vendin. //iç//

XS
SM
MD
LG