Lidhje

Kujtohet 40 vjetori i festivalit të Udstokut


U mbushën 40 vjet që kur gjysmë milioni të rinj amerikanë pushtuan qytetin e vogël Bethel të Nju Jorkut për të ndjekur festivalin triditësh të rokut i cili u bë më pas i njohur me emrin "Woodstock." E mori këtë emër sepse fillimisht festivali ishte planifikuar të mbahej në Woodstock të Nju Jorkut. Shumë analistë mendonin se me një numër kaq të madh njerëzish dhuna do të ishte e pashmangëshme por kjo nuk ndodhi gjë që i la ata të habitur. Korrespondenti Martin Phillips i Zërit të Amerikës shkoi këto ditë në Bethel për të kujtuar këtë ngjarje e cila ka mbetur në histori.


Për shumë njerëz, Betheli konsiderohet i shenjtë. Është vendi ku pikërisht si sot 40 vjet më parë u zhvillua festivali i famshëm i Woodstock-ut. Kjo tokë ishte pronë e fermerit të qumështit Max Yasgur, i cili vdiq vite më pas. I biri i tij, Sam, thotë se menjëherë pasi dha lejen për koncertin, filluan edhe kundërshtimet.

"Gjithandej u dukën tabela ku shkruhej ‘Mos e blini qumështin e Yasgurëve. Yasgurët i duan shumë hipitë’, dhe kjo e zemëronte babanë." - thotë ai

Duke Devlin, i cili e quante veten hipi ishte duke udhëtuar në këtë zonë dhe lexoi për festivalin që do të zhvillohej aty.

"Në tabela thuhej se do të ngrihej një fshat indian dhe një kopsht zoologjik. Apo: ‘thithni ajër që nuk është thithur ndonjëherë’ e gjëra të tjera të ngjashme.

Qindra njerëz erdhën në Bethel. Çdo rrugë ishte e mbushur plot me njerëz. Më 15 gusht filloi koncerti i cili do të bëhej simbol i një brezi.
Richie Havens, këngëtari i parë erdhi me helikopter për shkak të turmave të mëdha. Mbas 40 vjetësh ai kujton:

"Kur hodha sytë poshtë dhe pashë ngjyrat u habita. Aty përfaqësohej çdo qenie njerëzore. Nëse gazetat do ta kishin këtë fotografi, atëhere fitorja do të ishte me ne."

Adoleshentë si Zeke Boyle dhe Joe Dipone erdhën këtu sepse ndiheshin të flakur tej nga brezi i prindërve të tyre.

"Kur shkova në Woodstock pashë tërë ata njerëz të përfshirë nga frymëzimi. E ndjeva se nuk isha i vetëm në atë vend të humbur. Lëvizja kishte fituar kredon e saj dhe më nxiti të mendoj se ne ishim bërë një forcë e cila nuk mund të mos merrej parasysh.” - thotë Zeke Boyle

Të tjerë erdhën për arësye të tjera.

"Aty mund të bëje dashuri pa para, kush të mundëte sepse aty prapa kishte një basen ku të gjithë kalonin nga një herë. Të gjithë, pa përjashtim. Ishte një kohë si të thuash magjike sepse nuk gjej tjetër fjalë për ta përshkruar." - shton ai

Duke Develin kujton:
"Në një fundjavë të vetme dukej sikur ishin grumbulluar gjithë festat njëherësh, gjithë ditëlindjet. "Nëse gjeja ndonjë gjë për të ngrënë e haja, nëse gjeja duhan e pija dhe nëse gjeja ndonjë vend për të marrë një sy gjumë, aty shtrihesha.

Me rritjen e turmës, njerëzit nuk kishnin nga lëviznin më.

Sam Yasagur kujton mbas katër dekadash:
"Në fusha nuk dukej më bari për shkak të njerëzve të shumtë. Fermerët nuk mund t’i lëviznin dot kamionët e qumshtit kështu që iu desh ta derdhnin qumshtin në kanal. Dhe, natyrisht, qumështi ishte vetë jeta jonë."

Zoti Yasgur thotë se të gjithë prisnin që të fillonte dhuna. Mirëpo fermerët u bënë miq me të ardhurit. Ai thotë:

"Këta ishin lloj lloj njerëzish, disa prej tyre të çuditshëm. Fermerët na thanë se mes tyre kishte fëmijë të uritur kështu që të gjithë u vunë në garë për t’i sjellë atyre ujë dhe ushqim, u mobilizuam për t’i ndihmuar këta fëmijë. Ishin të gjithë elementët për dhunë por për çudi gjërat shkuan mirë, në paqe dhe në qetësi të plotë."

Në vendin e festivalit nuk pati dhunë dhe kjo ra në sy shumë. Në fakt, shumë fëmijë qendruan pas mbarimit të koncerteve për të pastruar vendin. Disa si Duke Devlin, hipia që qarkullonte në ato anë, nuk u largua kurrë dhe sot është guidë turistike për Qendrën e Artit në Bethel.

"Më kërkuan ata vetë të bëhesha guidë madje më paguajnë për këtë punë, për të përkthyer. Ata nuk e dinë se unë dota bëja edhe sikur të mos më paguanin fare sepse mua më pëlqen të komunikoj me njerëzit. Erdha këtu vetëm për tre ditë dhe po bëj 40 vjet jetë mrekullueshme në këtë vend." - thotë Develine

15 gushti shënon 40-vjetorin e festivalit të Woodstock-ut. Dhe Duke Devlin ka ditë që pret turistë për tu folur rreth vendit që ai e do me shpirt. //mm//

XS
SM
MD
LG