Lidhje

Presidenti Obama dënon “argumentat e pandershme” për reformën shëndetësore


Presidenti amerikan Barak Obama akuzoi disa nga kundërshtarët e tij për planin për reformën në sistemin shëndetësor se po përdorin argumenta të pandershme kundër kësaj nisme. Duke folur në një takim me banorë të Grand Junction në shtetin e Kolorados, zoti Obama përmendi kritikët që kanë përsëritur pohimin e rremë se plani i tij do të lejonte qeverinë që të inkurajonte vdekjen me vullnetin e vetë pacientit për të moshuarit ose shumë të sëmurët. Presidenti Obama si shumë rrallë foli me emocion, kur mbrojti reformën në shëndetësi.

Ai përshkroi dhimbjen e tij për keqësimin e gjendjes shëndetësore të gjyshes së tij para se të vdiste vitin e kaluar. Zoti Obama dhe disa republikanë të opozitës kanë bërë thirrje për një ton më të civilizuar në debatin për reformën mbi kujdesin shëndetësor që po bëhet gjithnjë e më i ashpër.

Ndërsa diskutonte për keqinformimin e përhapur për propozimin e tij për reformë, Presidenti Obama foli për dhimbjen e tij teksa shihte afrimin e vdekjes së gjyshes së tij vitin e kaluar.

"Gjyshja ime vdiq vitin e kaluar. E di se ç'do të thotë të shohësh një prej njerëzve të afërt, të plaket, të sëmuret dhe të duhet ta përballosh një gjë të tillë. Është e pakuptimtë të mendosh që unë, apo anëtarë të kongresit u përpoqëm të marrin një post publik për të shkaktuar vdekjen e gjysheve tona".

Presidenti foli me indinjatë për fjalët e përhapura sipas së cilave, plani parashikon ngritjen e komisioneve që do të vendosnin nëse të moshuarit e sëmurë rëndë do të merrnin kujdesin e duhur shëndetësor. Nisma e tij nuk ka ndonjë klauzolë të tillë por do të autorizonte qeverinë që të paguante mjekë për të këshilluar një pacient për çështje që kanë të bëjnë me dhënien fund të jetës nëse pacienti e do një gjë të tillë. Zoti Obama tha se republikanët që ngrenë pretendime të tilla nuk po thonë të vërtetën.

"Argumenta të tilla janë të pandershme, veçanërisht kur bëhen nga anëtarë të Kongresit të partisë në opozitë, që në të kaluarën kanë mbështetur klauzola të tilla".

Takimi publik i djeshëm, ku morën pjesë afro 1 mijë e 600 vetë u mbajt në një atmosferë civile. Në disa takime të tjera të tilla me banorë, anëtarët e Kongresit janë përballur me grupe njerëzish që kanë mbajtur qëndrime të ashpra dhe të dhunshme.

Në Grand Junction, këmbimi më i vështirë i Presidentin Obama ishte me një student që e sfidoi në lidhje me propozimet e tij dhe të cilit presidenti i dha përgjigje duke thënë se e admironte kurajon e tij.

Presidenti Obama e pranoi se nuk ka zgjidhje të përkryera për sistemin shëndetësor të Shteteve të Bashkuara. Por ai shtoi se riparimi i këtij sistemi është thelbësor për rigjallërimin e ekonomisë amerikane.

"Nëse je nga ata që nuk e do defiçitin dhe i lodhur nga shpenzimet pa fre të Uashingtonit dhe do që të sigurohesh se po marrim masa për brezin e ardhshëm, atëherë duhet të duash më shumë se kushdo tjetër të reformosh sistemin shëndetësor".

Në mesazhin e përjavshëm të Partisë Republikane, senatori Orrin Heç nga shteti i Jutas tha se propozimi i zotit Obama do të kushtojë shumë dhe do të thoshte që qeveria të merrte në dorë kujdesin shëndetësor.

"Vendi ynë pret nga ne që ta zgjidhim këtë sfidë në një mënyrë të hapur, të ndershme dhe të përgjegjshme. Më shumë shpenzime, më shumë taksa dhe zgjerim i pranisë së qeverisë nuk është përgjigjia".

Ndërkohë që mbështetja publike për planin e qeverisë ka rënë, zoti Obama ka mbajtur disa fjalime për ta mbrojtur dhe për ta promovuar atë.

Presidenti dhe familja e tij janë sot në Arizona për të vizituar Parkun Kombëtar të Ujvarës së Madhe.//kk//


XS
SM
MD
LG