Lidhje

Afganistani në prag të zgjedhjeve presidenciale

  • Berri Neuhouse

Të enjten votuesit në Afganistan do të vendosin nëse do të rizgjedhin Presidentin Hamid Karzai dhe për një mandat tjetër pesë vjeçar apo do të zgjedhin një prej 36 kandidatëve të tjerë të cilët thonë se kanë një plan për ta nxjerrë vendin e rrënuar nga lufta e 8 viteve. Zoti Karzai duket i sigurt në këtë garë, por vëzhguesit janë përqëndruar kryesisht në pyetjen nëse Afganistani do të jetë në gjendje që të zhvillojë zgjedhje të besueshme.

Në Kabul, edhe orët më të ngarkuara të trafikut janë një mundësi për t’u shfrytëzuar për votimet. Por që kur më pak se një e treta e popullatës së Afganistanit jeton në qytetet e mëdha, zyrtarët janë përqëndruar në regjistrimin e votuesve në zonat fshatare, duke gjetur njerëz që mund të përfshihen në procesin e votimit dhe po i mësojnë ata rreth këtij proçesi.

Që nga zgjedhjet presidenciale të 5 vjetëve më parë, disa probleme logjistike - si boja që mund të fshihet nga gishti i votuesit, - janë shtruar për zgjidhje. Probleme të tjera, kryesisht sulmet e Talibanëve, janë përkeqësuar.

Në qytetin më të rëndësishëm në Zabulin jugor, shitësi Shah Vali thotë se ndërsa ai ka planifikuar të votojë, të tjerë ndoshta nuk veprojnë si ai.

“Ne jemi krenar të votojmë për zgjedhjet presidenciale dhe për këshillat vendorë, por me keqardhje vëmë re se nuk ka siguri. Kemi dyshime nëse zgjedhjet do të arrijnë të mbahen në disa zona”.

Zoti Karzai dhe aleatët e tij politikë këmbëngulin se zgjedhjet do të mbahen, pavarësisht kërcënimeve të talibanëve për moslejimin e tyre.

Guvernatori i Zabulit Ashraf Nassiri thotë se ai është optimist për pjesmarrjen në votime.

“Mendoj se situata e sigurisë nuk është aq e keqe sa mendojnë njerëzit. Forcat tona të sigurisë janë në të gjitha zonat dhe ne jemi në kontroll të situatës”.

Mijëra trupa amerikane dhe të NATOS janë shtuar në Afganistan për të ndihmuar në sigurimin e zgjedhjeve. Por zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar se kërcënimet e talibanëve dhe dhuna do të largojnë votuesit, duke dëmtuar besueshmërinë e zgjedhjeve.

Madje dhe ambasadori amerikan Karl Eikenberry ngurron që të nxisë njerëzit për të votuar.

“Ne e dimë se ditën e zgjedhjeve, siguria nuk do të jetë e përsosur, kështu që nuk kam asnjë këshillë për t’i thënë qytetarit të thjeshtë. Kjo mbetet vendimi i gjithsecilit. Por them me bindje se po bëhen përpjekje shumë të mëdha çdo ditë që të arrihet ambjenti më i sigurt i mundshëm”.

Niveli i ulët i sigurisë anembanë vendit, ka lejuar organizmin e pak mitingjeve jashtë Kabulit.

Si president në detyrë, zoti Karzai gëzon një avantazh shumë të thellë përballë rivalëve të tij.

Disa e akuzojnë atë për shpërdorim detyre, për të siguruar rizgjedhjen e tij.

Dy rivalët e tij kryesor, të cilët kanë shërbyer në pozicione të rëndësishme në qeverinë e zotit Karzai, e akuzojnë atë se ai po e shkatërron vendin me korrupsion dhe nga mosqeverisja e tij.

Por disa votues tregohen të kujdesshëm që të ndryshojnë udhëheqjen në mes të rrugës. Një banor i Xhalalabadit thotë, se ai ka mbetur i impresionuar se si Presidenti Karzai e ka kryer detyrën e tij.

“Karzai trashëgoi një vend të shkatërruar, dhe e vendosi atë në rrugën e rindërtimit. Ne nuk kemi gjetur asnjë kandidat tjetër i cili mund të përfundojë atë çka nisi Karzai.”

Ndërsa gara presidenciale dominon titujt e lajmeve, votuesit gjithashtu do të zgjedhin mes më shumë se 3000 kandidatëve për këshilltarë të këshillave vendorë. Këta kandidatë, si Zabihulla Zamari në Xhelalabad, po zhvillojnë gjerësisht fushata në grupe të vogla.

Një provë e rëndësishme për presidentin e ardhshëm të Afganistanit është nëse ai do të jetë i gatshëm të mbështetet tek udhëheqësit me peshë për të ndihmuar në ecjen përpara të politikave kombëtare. Presidenti Karzai u përpoq gjatë mandatit të tij të parë që të zgjeronte shtrirjen e qeverisë qëndrore përtej Kabulit. Kushdo që do të fitojë zgjedhjet do të përballet me të njëjtin problem./ap

XS
SM
MD
LG