Lidhje

Shtetet e Bashkuara i falin Indonezisë një borxh prej 30 milion dollarësh


Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje për t’i falur Indonezisë një borxh prej 30 milion dollarësh. Në shkëmbim të kësaj, Indonezia bie dakord të mbrojë pyjet në ishullin e Sumatrës. Kjo është marrëveshja më e madhe e këtij lloji që realizon qeveria e Shteteve të Bashkuara në bazë të ligjit amerikan për Mbrojtjen e Pyjeve Tropikale. Është hera e parë që një marrëveshje e tillë nënshkruhet me Indonezinë, e cila është ndër vendet me ritmet më të mëdha të shkatërrimit të pyjeve në botë.

Është vendi ku shpyllëzimet në një vit të vetëm kapin një sipërfaqe sa ajo e Zvicrës. Ritmet mjaft të larta të shpyllëzimeve e bëjnë Indonezinë emetuesin e tretë më të madh në botë të dioksidit të karbonit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shpyllëzimet prekin edhe florën dhe faunën e vendit. Këta pyje janë strehë e disa prej specieve më të rrezikuara të botës si tigrat, elefantët, rinocerontët dhe orangutangët.

Me marrëveshjen e re, Shtetet e Bashkuara po falin një borxh prej 30 milion dollarësh për të mbrojtur më mirë pyjet ku banojnë këto specie.

Jennifer Morris është nënpresidente e sektorit financiar të organizatës Conservation International, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen amerikano-indoneziane.

"Pra, në vend që Indonezia t’ia shlyejë këtë borxh Amerikës, ajo do t’i përdorë paratë për mbrojtjen e pyjeve. Kemi të bëjmë me një marrëveshje vërtet historike, marrëveshja më e madhe e këtij lloji ku borxhi shkëmbehet me diçka tjetër dhe që vlen vetëm për Indonezinë."


Marrëveshja, e nënshkruar nga Departamenti amerikan i Thesarit, e lejon Indonezinë t’i verë paratë në një depozitë për mbrojtjen e 13 sipërfaqeje pyjore në ishullin e Sumatrës.

Walter Lohman i Fondacionit Heritage, thotë se prokupimi i tij është që paratë të përdoren si duhet por ai shikon mjaft elementë pozitivë në atë që u arrit.

"Kjo është një mënyrë e re për dhënien e ndihmës. E njëjta pyetje mund të shtrohet edhe kështu: Përse ne i japim botës 20 miliard dollarë ndihma çdo vit? Kjo ka të bëjë me forcimin e marrëdhënieve dhe në këtë rast ne po forcojmë marrëdhëniet me Indonezinë."

Kjo është diçka që po përsëritet shpesh në takimet mes dy vendeve. Ja ç’thotë sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton.

"Mezi pres të vazhdoj të punoj me ministrin e jashtëm dhe me qeverinë indoneziane për të gjitha këto çështje. Kam besim se marrëdhëniet tona do të forcohen dhe thellohen më tej në të ardhmen."

Organizata Conservation International thotë se marrëveshja është një metodë novatore për të ndihmuar si popullin ashtu edhe speciet në Indonezi.

Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar marrëvshje të tilla po më të vogla me vende si Filipinet, Guatemalën dhe Perunë.

"Është ndër mekanizmat më të mirë që kemi për ndihmën e vendeve të zhvilluara ndaj atyre në zhvillim, pra ku paratë përdoren në një mënyrë të ndryshme. Në vend që paratë thjesht të kthehen ose të falen, qeveria indoneziane po i investon ato në mbrojtjen e popullsisë vendase dhe të këtyre specieve të rëndësishme."

Presidenti Susilo Bambang Yudhoyono, i cili sapo u zdhodh për një mandat të ri, i ka bërë përparësi masat kundër prerjes së paligjshme të pyjeve./ap.






XS
SM
MD
LG