Lidhje

Sulmet në Internet dhe siguria e sistemeve kompjuterike

  • Greg Flakus

Sulmet e fundit ndaj sistemeve kompjuterike të lidhura në internet sikurse ishte edhe sulmi i muajit të kaluar ndaj sistemeve kompjuterike të qeverisë amerikane që besohet se kanë origjinën në Korenë e Veriut si dhe sulmi që ç’rregulloi funksionimin e faqes popullore të internetit Twitter, tregojnë dobësi të botës kompjuterike të lidhur me internet. Shumë ekspertë kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth asaj se çfarë mund të ndodhë më vonë dhe po i bëjnë thirrje qeverisë amerikane që të ndërmarrë hapa parandalues për të mbrojtur strukturën thelbësore të internetit.

Ekspertët besojnë se sulmet e 6 gushtit që mbyllën për pak kohë faqet e internetit Twitter dhe Facebook kishin si synim t’i mbyllnin gojën një blogisti gjeorgjian, kritik i veprimtarisë ruse ndaj vendit të tij.

Sulmet në shkallë të gjerë në internet vitet e fundit kanë dëmtuar infrastrukturën e telekomunikacionit të disa vendeve.

Sulme të tilla mund të shtohen dhe të jenë më të dëmshme, thotë gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane në pension, Harry Raduege i cili foli në Këshillin e Marrëdhënieve Botërore në Hjuston.

Ai shërbeu në komisionin që i dha rekomandime presidentit Obama për mbrojtjen e vendit nga sulmet përmes internetit.

“Ajo që duhet bërë është menaxhimi i rrezikut. Jemi të dobët para këtyre sulmeve dhe është naivitet të mendohet se do të jemi në gjendje gjithmonë ti mbajnë sulmuesit jashtë...duhet supozuar që ata janë brenda.”

Ai thotë se sa më i përparuar të jetë sistemi kompjuterik dhe interneti i një vendi aq më i rrezikuar mund të jetë.

“Estonia, një vend mjaft i avancuar dixhital, u godit keq me 5 mijë email në sekond që bllokoi sistemin e atij vendi.”

Ai thotë se një nga shqetësimet e tij është sistemi elektronik i komandimit kompjuterik në bazë të cilit funksionon furnizimi i karburanteve në Shtetet e Bashkuara.

“Dikush mund të godasë sistemet e kontrollit industrial që kontrollon valvulat, sistemet e shpërndarjes dhe që komandon nënstacionet elekrike apo furnizimin me gaz dhe naftë.”

Zyrtarë ushtarkë dhe civilë të qeverisë amerikane po punojnë për një mbrojtje më të mirë të sistemit kompjuterik dhe koordinimin e përpjekjeve.

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë së Vendit thotë se një nga sfidat më të mëdha është gjetja njerëzve të duhur.

“Si do të rrisim, rekrutojmë dhe zhvillojmë ekspertizën apo policët e internetit dhe të sigurisë. Me fjalë të tjera nga do të vijë ky personel?”

Ajo thotë se qeveria ka nevojë për njerëzit më të mirë për të mposhtur hakerat e internetit.

“Si do jemi krijues që të studiojmë jo vetëm ato çfarë kanë bërë por edhe të parashikojmë hapat e tjerë të hakerëve.”

Por zonja Napolitano thotë se qeveria duhe të ketë kujdes dhe të mos trazojë privacinë e popullit ndërkohë që shton mbrojtjen në mbarë botën kompjuterike të internetit që nga ato qeveritare, të biznesit apo ato të përdorimit nga njerëzit e përditshëm që është mjaft jetike./ap

XS
SM
MD
LG