Lidhje

Kenet Bejkën - humanisti që kontribuoi në luftën e Kosovës


Para pak ditësh vdiq Kenneth Bacon, gazetar amerikan me përvojë dhe zyrtar i lartë qeveritar gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, i cili ia përkushtoi veten ndihmës për refugjatët dhe viktimat e tjera të konflikteve. Vdekja e tij bëri që të prehej një zë i cili fliste për miliona njerëz të zhvendosur kudo në botë, një zë i cili do të na mungojë shumë.

Ai ishte një figurë e njohur në Uashington, njihej gjithashtu edhe për papijonet që mbante, sjelljen e butë dhe për faktin se qarkullonte me biçikletë nëpër rrugët plot të trafik të qytetit.

Zoti Bacon ka patur një karrierë të shquar si reporter dhe redaktor i gazetës Wall Street Journal. Përvoja në këtë fushë e ndihmoi shumë kur u bë zëdhënësi kryesor i Departamentit amerikan të Mbrojtjes nën Presidentin Bill Klinton, në një kohë që konfliktet në Haiti dhe në Ballkan dominonin skenën ndërkombëtare.

Në Pentagon, ai pati rastin të shihte nga afër vuajtjet e njerëzve të panumërt të zhvendosur, kur një lumë i tërë refugjatësh nga konflikti i Kosovës kërcënonte të përmbytëte organizatat ndërkombëtare që kujdeseshin për ta. Zoti Bacon ishte i vendosur të bënte ç’të mundte për t’u ardhur atyre në ndihmë. Prandaj, menjëherë pasi u largua nga shërbimi publik në vitin 2001, ai pranoi të kryesonte një organizatë me qendër në Uashington, Refugees International, synimi i së cilës ishte ta fokusonte vemendjen e publikut te vuajtjet e miliona njerëzve të zhvendosur.

Nën drejtimin e zotit Bacon, organizata u dyfiishua në përmasa dhe filloi t’u bëjë presion udhëheqësve botërorë që të shtonin mbrojtjen dhe ndihmën për refugjatët në vende të tilla të largëta si Darfuri i Sudanit, Iraku, Birmania, Republika Demokratike e Kongos apo Kolumbia.

Megjithëse në fazat e fundit të sëmundjes së kancerit në lëkurë, nga i cili edhe vdiq, zoti Bejkën deri në qershor vazhdoi të jepte dëshmi para kongresit amerikan mbi kushtet me të cilat përballen personat e zhvendosur brenda vendit në Pakistan.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha pas vdekjes së zotit Bejkën se bota ka humbur një humanist të madh, kontributi i të cilit është ndjerë që nga Afrika Qendrore, në Azinë e Jugut e deri në dy Amerikat. Ai do të shërbejë si shembull frymëzimi për bashkatdhetarët e tij. //bsa

XS
SM
MD
LG