Lidhje

Gratë amerikane shfaqin interesim për ndërmarrjet bujqësore


Tradicionalisht në Shtetet e Bashkuara, gratë kanë luajtur role të rëndësishme në familjet që kishin prona bujqësore, duke ndihmuar babain apo burrin me punët e fermës. Por një raport i fundit i zyrës për regjistrimin e popullsisë tregon se po rritet numri i fermave që administrohen direkt nga gratë. Shumë prej tyre vijnë nga një karrierë tjetër, por i përkushtohen më pas punës me tokën dhe produktet e saj. Një prirje të tillë e mishëron edhe dy ferma në Meriland, me të cilat na njeh reportazhi në vazhdim:

Një ndër punët e ditës për Julie Stinar është të ushqejë pulat. Ajo është pronare e fermës Evensong në Sharpsburg të Merilandit. Para se të fillonte të merrej me bujqësi 5 vjet më parë, ajo punonte në një dyqan rrobash:

“Kur më lindi djali, e lashë punën në dyqanin Nordstrom. Pikërisht në atë kohë u vendosëm në fshat.”

Ajo filloi të rriste zarzavate për familjen në një kopsht të vogël. Tepricat ua shiste kolegëve që punonin me të shoqin. Tani ferma e saj përfshin 53 hektarë. Ajo kultivon mbi 100 varietete zarzavatesh, si dhe mban pula, derra dhe lopë.

Edhe Jeanne Dietz-Band është pronare ferme. Ajo mban 200 dhi në fermën Many Rocks në Keedysville të Merilendit. Jeanne është doktore shkencash në biologjinë molekulare, por e la karrierën si bioteknike për të pasur më shumë kohë me dy djemtë adoleshentë.

“Ishte pa dyshim një vendim shumë i vështirë. Por pasi e mora vendimin dhe u vendosëm në fermë, nuk jam bërë kurrë pishman. Jam shumë e lumtur këtu.”

Ajo thotë se njohuritë në gjenetikë e ndihmuan të fillonte një program për mbarështimin e dhive, ndërsa kimia e ndihmoi në fillimin e prodhimit të sapunëve me qumësht dhie. Jeanne dhe Julie janë pasqyrë e një prirjeje në rritje të përfshirjes së grave në bujqësi.

Sipas statistikave zyrtare mbi bujqësinë në vitin 2007, numri i grave që administronin direkt një fermë ishte rritur 30 për qind gjatë 5 vjetëve të fundit. Tani gratë drejtojnë mbi 14 për qind të 2.2 milionë ndërmarrjeve bujqësore në vend.

Stephanie Gambrell është analiste e politikave ekonomike pranë Qendrës për Fermën Amerikane:

“Kemi vërejtur se numri i grave që administrojnë ferma është rritur në mënyrë të ngjashme me rritjen e grave në krahun e punës. Pra rritja ndjek prirjen e përgjithshme, por mendoj se përqindja e grave në ekonomitë bujqësore do të vazhdojë të rritet pak.”

“Mendoj se puna në fermë i përshtatet natyrës së gruas. Ne jemi më të përkushtuara. Prandaj puna në fermë ku kujdesesh për diçka që rritet, lulëzon, jep fryte, përputhet me tiparet e natyrshme të gruas.”

Përgjithësisht gratë administrojnë ferma më të vogla në krahasim me burrat, por tani ato po përfitojnë nga popullariteti i tregut fshatar dhe interesimi i popullatës për të blerë produkte lokale.

“Fakti që tregu fshatar po bëhet shumë i frekuentuar na ndihmon ne si fermerë që prodhojmë produkte specifike, jo të konsumit në masë. Ne marrim çmim më të mirë në këtë treg, se sa po t’ia shisnim një ndërmjetësi.”

Gratë fermere thonë se megjithëse puna në bujqësi është e lodhshme, e preferojnë pasi ofron pavarësi, fleksibilitet dhe të jep një ndjenjë vetë-përmbushjeje.

“Mendoj se bëhet shumë përmbushëse, pasi të duket se puna jote i ofron dikujt tjetër ushqim të një cilësie të lartë për familjen e tyre.”

Zonja Stinar thotë se asnjëherë nuk është penduar që zgjodhi punën në bujqësi si mënyrë për të siguruar jetesën.

XS
SM
MD
LG