Lidhje

Kermabon: EULEX-i nuk nënshkruan në emër të Kosovës


Udhëheqësit e Kosovës presin nesër në takim shefin e EULEX-it Yves de Kermabon për të diskutuar mbi çështjen e një protokolli bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme të Serbisë, që synon këmbimin e informacioneve për luftën kundër krimit të organizuar. Çështja e protokollit që EULEX-i thotë se do të nënshkruajë me Beogradin ka ngjallur reagime në Kosovë, ndërsa vetë shefi i EULEX-it tha se misioni i tij nuk ka nënshkruar dhe nuk do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje në emër të Kosovës.

Në një komunikatë të zyrës së zoti Kermabon thuhet se ka pasur një mori keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh lidhur me këtë çështje dhe për këtë arsye ai ka kërkuar një takim për të enjten me presidentin e Kosovës, Fatmir Sedju dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Në deklaratën e zotit Kermabon thuhet se EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe nuk mund të nënshkruaj çfarëdo lloj protokolli në emër të Kosovës.

EULEX-i, si mision teknik për sundimin e ligjit, mund të nënshkruaj protokolle vetëm në emër të EULEX-it dhe për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, sipas pajtimit të arritur nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ai thekson se autoritetet e Kosovës janë informuar vazhdimisht për kontaktet me Beogradin dhe për hollësitë lidhur me normalizimin e bashkëpunimit policor dhe se nuk është e pazakontë për EULEX-in që të nënshkruaj marrëveshje me ministritë përkatëse të rajonit. Zyrtarë të EULEX-it thonë se marrëveshje bashkëpunimi janë arritur tashmë me Shkupin, Tiranën dhe Podgoricën.

Krimi i organizuar, kontrabanda dhe trafikimi me qenie njerëzore, drogat dhe armët, të gjitha paraqesin krime serioze të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë që kriminelët të sillen përpara drejtësisë nevojitet të ketë paraqitje dhe shkëmbim të provave në rajon, ndërsa për ta mundësuar këtë nevojitet krijimi i mekanizmave, thuhet ne deklaratën e shefit të EULEX-it Yves de Kermabon.

Autoritetet në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se bashkëpunimi me vendet e rajonit është i domosdoshëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, por vendimi për këtë bashkëpunim është çështje e qeverive të këtyre vendeve. Së këndejmi, çdo marrëveshje përfshirë edhe atë më Beogradi janë çështje e institucioneve të shtetit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG