Lidhje

Roli i Imamëve në zgjedhjet presidenciale në Afganistan



Afganët po votojnë sot në zgjedhjet presidenciale dhe ato provinciale. Në të gjithë vendin, i njohur me emrin zyrtar Republika Islamike e Afganistanit, krerët e klerik mysliman, imamët, luajtën edhe ata rolin e atyre për t’u bërë thirrje njerëzve që të votonin. Për këtë temë flet edhe kronika e filmuar në Provincën Nangarhar pikërisht në prag të zgjedhjeve.

Besimtarët në xhaminë Chaknori të Xhelalabadit, kryeqendër e provincës Nangahar, dëgjojnë predikimin – një kombinim i fesë me politikën. Në një vend zyrtarisht mysliman, këtu nuk ka asnjë gjë të pazakontë. Në fakt, 156 imamë ndërmorën këto ditë udhëtime në të gjithë vendin për të folur me njerëzit mbi ditën e zgjedhjeve. Dr. Akhtar Mohammad është drejtor i Komisionit të pavarur zgjedhor në provincën Nangarhar.

"Ne i kemi kushtuar vemendje të posaçme faktit se udhëheqësit fetarë dhe fisnorë kanë shumë ndikim në shoqërinë tonë dhe ne u kemi kërkuar shumë prej tyre të inkurajojnë njerëzit të marrin pjesë në fushatën politike dhe kemi patur mjaft sukses".


Shumë nga imamët po punojnë në zonat fshatare ku ka shumë analfabetizëm dhe njerëzit nuk kanë informacion. Imam Mawlawi Wali Ahmad dhe të tjerë kanë ardhur në këtë fshat që të bisedojnë me njerëzit mbi rëndësinë e zgjedhjeve dhe nevojën për të mësuar sa më shumë për kandidatët.

Imami përdor informacionin praktik të kombinuar me referenca fetare duke u thënë njerëzve se vota e tyre është zëri i tyre. Ai mendon se është diçka e mirë për të që të marrë përsipër një rol të tillë sepse imamët janë udhëheqës të respektuar në shoqëri. Megjithatë, ai nuk u thotë njerëzve se për kë duhet të votojnë.

"Ju duhet të votoni për kandidatin që ju pëlqen dhe që ju mendoni se do t’i shërbejë popullit. Cilido që ju të zgjidhni. Ne nuk kemi detyrë t’ju tregojmë juve se për cilin duhet të votoni, kjo nuk është politika jonë".

Në fund të takimit, materialet u shpërndahen fshatarëve për t’ua dhënë të tjerëve nëpër lagjet e tyre. Ata e shpjegojnë procesin e votimit me ilustrime që janë të qarta për ata të cilët nuk dinë të lexojnë, që ata të dinë se çfarë procedurash ndiqen ditën e zgjedhjeve.

Sipas Komisionit të Pavarur Zgjedhor, objektivi i tij kryesor në punën me publikun është të edukojë votuesit e të gjitha etnive dhe niveleve për procesin zgjedhor dhe për të përhapur kulturën e zgjedhjeve të lira e të drejta. Komisioni thotë se paanshmëria është një prej parimeve të tij kryesore dhe se aktivitetet e tij nuk favorizojnë ndonjë organizatë apo person të veçantë. Dhe këshillat që japin imamët është e nevojshme dhe e mirëpritur, sipas këtij kryeplaku.

"Ajo që udhëheqësit fetarë thonë për zgjedhjet ka shumë rëndësi sepse njerëzit i respektojnë dhe e dëgjojnë fjalën e tyre. Shumica e njerëzve nëpër fshatra nuk e dinë se ku duhet shkuar për të votuar prandaj këshillat e imamëve janë të dobishme".

Imamët thonë se ata nuk i shpjegojnë popullit vetëm procesin e votimit. Ata bëjnë edhe diçka tjetër që për ta është po aq e rëndësishme. Ata tregojnë se në një demokraci, feja dhe qeveria mund ta mbështesin njëra-tjetrën. //iç//

XS
SM
MD
LG