Lidhje

Afganistan: Ende herët për të shpallur fituesin në zgjedhje


Në Afganistan, një zyrtar i lartë i zgjedhjeve paralajmëroi se është tepër herët për të shpallur fituesin në zgjedhjet presidenciale të vendit. Ai i bëri komentet pas deklaratave të dy kandidatëve kryesorë në zgjedhje, të cilët që të dy shpallën fitoren.

Ekipi i fushatës së presidentit Hamid Karzai, tha se në bazë të rezultateve fillestare, zoti Karzai ka fituar me diferencë të thellë dhe se balotazhi nuk do të jetë i nevojshëm.

Ndërsa një zëdhënës i ministrit të Jashtëm Abdullah Abdullah, që shihet nga vëzhguesit si rivali më i fortë i zotit Karzai, e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe tha se numërimi i votave tregon se zoti Abdullah ka një epërsi vendimtare.

Por zyrtari i Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve, Daoud Ali Najafi tha sot se jo të gjitha votat janë numëruar dhe se do të duhen edhe katër ditë për të publikuar rezultatet zyrtare.

Ai gjithashtu i vuri në diskutim njoftimet e mëparshme sipas të cilave pjesmarrja në votime ishte mes 40 dhe 50 përqind.

Miliona afganë sfiduan kërcënimin taleban për të shkuar dje në votime, zgjdhjet e dyta presidenciale që zhvillohen në Afganistan. Nga dhuna në Kabul, Kandahar dhe qytete të tjera të mëdha, u vranë të paktën 26 vetë. //ii

XS
SM
MD
LG