Lidhje

Një anketë tregon se bie besimi i publikut tek Presidenti Obama


Një anketë e re tregon se besimi i publikut tek Presidenti Barak Obama ka rënë, në një atmosferë shqetësimesh lidhur me reformat në kujdesin shëndetësor dhe shtimin e shpenzimeve qeveritare.

Rezultatet e anketës së realizuar nga rrjeti ABC dhe gazeta the Washington Post u publikuan sot dhe tregojnë se presidenti gëzon mbështetjen e 57 për qind të popullatës, një shifër që përfaqëson një rënie prej 12 për qind krahasuar me nivelin më të lartë të popullaritetit në prill.

Anketa tregon se ata që e kundërshtojnë presidentin Obama përfaqësojnë tani një shifër rekord për të, prej 40 për qind të popullatës.

Sipas anketës, afro gjysma e amerikanëve shprehin besimin se presidenti do të marrë vendimin e duhur për vendin. Në prill 60 për qind e amerikanëve shprehnin këtë optimizëm.

Anketa tregon shtimin e numrit të amerikanëve që besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.

Po ashtu gjysma e amerikanëve mendojnë se recesioni i tanishëm do të marrë fund vitin e ardhshëm, një rritje në krahasim me vetëm 28 për qind që shprehnin optimizëm për të ardhmen ekonomike në anketat e muajit shkurt./ap.

XS
SM
MD
LG