Lidhje

Bo Diddley, një nga muzikantët e parë të muzikës rok


Këtë muaj u njoftua se legjenda e muzikës rok, Les Paul vdiq në moshën 94 vjeçare. Por disa muaj para tij, një tjetër idhull nderoi jetë. Bo Diddley është cilësuar si një nga muzikantët e parë të muzikës rok. Duke kombinuar muzikën bluz e folklorike me ritmet latine e afrikane, Bo Didli krijoi muzikën e tij që njihet sot si ritmi "hambone". Kolegu Astrit Lulushi i hedh nje vështrim jetës së Bo Didlit dhe muzikës së tij.

Krahas legjendarit Çak Beri, Bo Didli është konsideruar si një prej kitaristëve më me ndikim në epokën e rokut. Ritmi i tij i fuqishëm është imituar nga muzikantë të panumërt.

Bo lindi në Misisipi më 1928. Mbiemri i tij ishte Bejts, por kur u vendos në Çikago në moshë krejt të re dhe filloi të merrej me muzikë shokët filluan ta thërrisnin Didli, një lloj instrumenti muzikor afrikan. Didli studioi për violinë dhe pastaj mësoi kitarën. Pasioni i tij ishte muzika blues.

Në moshën 13 vjeçare, Bo u bë muzikant rrugësh e më pas filloi të luante në klubet e natës në Çikago, ku u njoh me një numër muzikantësh të kohës si Willi Dixon e Çak Beri.

Më 1955, Didli nënshkroi kontratën e parë të regjistrimit. Por kulmi i suksesit të tij ishte mesi i viteve 1960 kur grupet britanike si The Yardbirds e Rolling Stones filluan të lëshonin veersionet e tyre të këngëve të Bo Didlit. Në fillim atij nuk i pëlqyen, por siç tregonte më pas, edhe ai ndryshoi bashkë me kohën.

Në vitin 1987 Bo Didli u përfshi në hollin e famës së muzikës rok and roll. Ylli me emrin e tij ndodhet sot në bulevardin e famës në Hollivud, ndërsa më 1998, Didli u nderua me çmimi Grami për arritje jetësore në muzikë.

Që në vitet 1950, Bo Didli regjistroi pjesë instrumentale të pazakonta dhe eksperimentoi me efekte zanore që e bënë atë një prej novatorëve të vërtetë të kitarës elektrike. Bo Didli vdiq në fillim të këtij viti. Ai ishte 79 vjeç. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG