Lidhje

Myslimanët e Amerikës festojnë muajin e shenjtë të Ramazanit


Me fillimin e muajit të Ramazanit, myslimanët e Amerikës me prejardhje të ndryshme kombëtare mblidhen së bashku për t’u lutur. Ata filluan agjërimin për një muaj të tërë në qendrat islamike dhe në shtëpitë e tyre në gjithë vendin.

Imam Abdulla Hozh është president Qendrës Islamike në Uashington.

"Njerëzit nga e gjithë bota mblidhen së bashku dhe përjetojnë të njëjtat ndjenja pavarësisht nga distanca dhe zonat gjeografike”.

Pavarësisht origjinës kombëtare, Ramazani festohet me rituale që lidhin këto ndryshime.
Familjet blejnë ushqime të përgatitura veçanërisht me rastin e Ramazanit. Ata përgatisin ushqimet e Iftarit, të cilat mbyllin ditën e agjërimit dhe luten së bashku.

Nadia Rashidit, e cila emigroi në Amerikë nga Moroku, i mungojnë grumbullimet e mëdha të Ramazanit në vendin e saj.

“Ka një ndryshim të madh. Këtu nuk kemi të afërmit tanë dhe në vend që në tavolinë të mblidhen 10 veta, jemi vetëm ne të dy”.

Bashkëshorti Mohamed Ibrahim thotë se mbajtja e Ramazanit në Amerikë është e lehtë, megjithëse shumica e njerzve përreth tij nuk agjërojnë.

“Është detyra ime të agjëroj prandaj nuk ka rëndësi se ç’bëjnë të tjerët”.

7 milion myslimanët e Amerikës po bëjnë që xhamitë dhe qendrat islamike të lulëzojnë.
Imam Hasan Qazuini drejton Qendrën Islamike të Amerikës në Dearborn të Miçiganit. Ai thotë se qendra ka një program special gjatë muajit të Ramazanit, që përqëndrohet tek Kurani i shenjtë. Myslimanët besojnë se Zoti ia paraqiti Kuranin Profetit Muhammed në shekullin e 7-të erës sonë.

“Çdo natë, pas lutjeve të mbrëmjes, Qendra Islamike do të zhvillojë një seancë të posaçme me recitime të Kuranit të shenjtë si dhe disa leksione”.

Ai thotë se me rastin e Ramazanit qendra i njeh amerikanët jo-myslimanë me besimin islamik.

“Kam ftuar udhëheqës të krishterë dhe hebre për Iftar, për të ndarë me ne atmosferën e qetë dhe paqësore të muajit të Ramazanit”.

Gjatë Ramazanit, myslimanët e Amerikës hapin dyert e xhamive dhe qendrave islamike për të organizuar Iftare ndërfetare.

Amina Tambush, myslimane nga Senegali, thotë se Myslimanët e Amerikës bëjnë ndryshime në veprimtaritë e tyre të përditshme për të mbajtur Ramazanin.

“Secili gatuan diçka dhe e sjell në punë; ne hamë bashkë, lutemi së bashku, flasim rreth fesë myslimane dhe mësojmë nga njeri tjetri. Në punë ne lutemi së bashku në orën e drekës”.

Myslimanëve të Amerikës u duhet të bëjnë ndryshime në jetën e shpejtë në Amerikë, megjithatë Ramazani krijon për këta amerikanë nga vende të ndryshme një ndjenjë bashkimi si pjesë integruese e shoqërisë amerikane. (ze)

XS
SM
MD
LG