Lidhje

Greqi: Rifillon beteja kundër zjarreve në periferitë e Athinës


Në Greqi, zjarrfikësit rifilluan betejën kundër zjarreve të pakontrolluar në periferitë e Athinës duke hedhur ujë me avionë dhe helikopterë. Operacionet rifilluan sot pas agimit me pjesmarrjen e më shumë se 2 mijë zjarrfikësve për të shpëtuar shtëpitë në verilindje të kryeqytetit. Zyrtarët thonë se zjarret vazhdojnë të përhapen megjithë përpjekjet për t’i shuar ato gjatë rënies së përkohshme të shpejtësisë së erës.

Mijra grekë e kaluan të dielën jashtë shtëpive të tyre për t’i shpëtuar zjarreve të mëdha. Banorët e qytezës Agio Stefanos, në veri të Athinës, u urdhëruan të ikin nga shtëpitë për shkak të flakëve që afroheshin. Zjarret filluan të premten dhe janë përhapur në një zonë që shtrihet në një gjatë si prej 50 kilometrash.

Erërat, të cilat i kanë ngritur flakët deri në lartësi prej dhjetë metrash, vazhdojnë të kërcënojnë pyjet prej pishe, të cilat marrin zjarr shpejt.

Në Nea Makri, në jug të Maratonës, autoritetet vendase thanë se flakët në një gjatësi prej 4 kilometrash po kërcënojnë një numër shtëpish dhe dhjetra murgesha u evakuuan nga një manastir aty pranë.

Zjarret e pakontrolluar shpërthyen të premten dhe deri tani kanë shkretuar rreth 15 mijë hektarë pyje dhe shkurre, kanë rrafshuar ose dëmtuar dhjetra shtëpi banimi dhe kanë detyruar mijra njerëz të largohen nga zona përrreth kryeqytetit grek.

Sot, që në mëngjes, 17 avionë dhe helikopterë rifilluan operacionet për shuarjen e zjarreve prenë zonave të banuara.

Më shumë se 2 mijë zjarrfikës, ushtarë dhe vullnetarë po luftojnë me flakët në terren.

Zyrtarët thanë se zjarri vazhdon të kërcënojë zonat e banuara në veri të Athinës, qytetin bregdetar Nea makri dhe Maratonën aty pranë, një pikë e njohur historike.

Të paktën 5 persona po kurohen për djegie dhe dhjetra kanë patur probleme me frymëmarrjen por, sipas zyrtarëve, pa dëmtime serioze.

Zyrtarët nuk kanë thënë se cili ka qenë shkaku i flakëve por qindra zjarre pllakosin greqinë çdo verë dhe shumë prej tyre mendohet se vihen qëllimisht nga pronarët e firmave ndërtuese ose nga barinjtë për të zgjeruar kullotat. (ze)

XS
SM
MD
LG