Lidhje

Prishtinë: Veprimtarë të "Vetëvendosjes" sulmojnë makinat e EULEX-it

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Katër persona kanë pësuar plagë kur policia e Kosovës ndërhyri për të shpërndarë një grup veprimtarësh të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dëmtuan 28 makina të Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë. Incidenti ndodhi në qendër të Prishtinës në një fushë që shërben si vend parkim i makinave, kur një grup veprimtarësh ndërmorën një aksion kundër, siç thuhet, qasjes së EULEX-it ndaj Kosovës.

Zëdhënësi i policisë Agron Boroci tha se 21 perona janë shoqëruar në polici për dëmtim prone.

“Tre policë kanë pësuar lëndime dhe një pjesëtar i Vetëvendosjes, të cilëve në Qendrën Klinike Universitare u është ofruar trajtim mjekësor”, tha zëdhënësi Boroci.

Incidenti pasoi debatet rreth mundësisë së nënshkrimit të një protokolli të bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Protokolli për të cilin zyrtarë të EULEX-it thonë se synon shkëmbim informacionesh në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme, është kundërshtuar ashpër nga institucionet e Kosovës.

Një nga drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se EULEX-i, nëpërmjet protokollit të paralajmëruar po e trajton Kosovën njësoj siç e ka trajtuar edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara, duke mos e njohur shtetin e Kosovës e as kufirin e saj me Serbinë.

“Meqenëse EULEX-i nuk po ndrysho fare prej UNMIK_ut por është vazhdimësi e tij, as lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse ta trajtojë atë ndryshe, por do ta trajtojë tamam siç e ka trajtuar UNMIK-un. Në këtë vazhdë ishte edhe aksioni i sotëm i aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët praptuan rreth dyzet automjete të këtij misioni të padrejtë në Kosovë”, tha zoti Konjufca.

Incidenti u dënua ashpër nga Misioni i EULEX-it, nëpërmjet një komunikatë në të cilën thuhet se ky mision e mbështetë idenë e protestave paqësore si një element i rëndësishëm në cilëndo shoqëri demokratike, por shkaktimi i dëmit kriminal nuk i çon përpara interesat apo argumentet e cilitdo prej protestuesve të tillë.

Incidentin e ka cilësuar të papranueshëm edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili ka tërhequr vërejtjen se kundërshtimi ndaj protokollit të bashkëpunimit me Serbinë është bërë në mënyrë institucionale dhe duhet të vazhdojë në rrugë të njëjtë.

“Unë nuk dua të komentoj qasjet të cilat në një formë apo formë tjetër nuk përkojnë me atë që është pjesë e reagimeve normale. Secili ka të drejtë të thotë fjalën e vet. Për ne është me rëndësi që institucionet e vendit do ta thonë fjalën e vet dhe e kanë tepër, tepër të qartë. Ne do të bashkëpunojmë shumë thellë me EULEX-in, është mision për të mirën e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj dhe bashkëpunimi nënkupton edhe veprime të përbashkëta që janë në realizim të një projekti për zhvillimin e Kosovës përgjithësisht. Prandaj për ne është thirrje kryesore që çdo gjë që kalon në një situatë tjetër të ngritjes së tensioneve apo të formave të tjera, natyrisht që është e papranueshme”, tha presidenti Sejdiu.

Edhe qeveria e Kosovës e ka dënuar incidentin duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që “të përmbahen nga të gjitha veprimet e dhunshme të cilat në mënyrë serioze rrezikojnë të ardhmen e shtetit tonë demokratik. Pakënaqësitë eventuale, mund të shprehen vetëm nëpërmjet formave paqësore që i lejon Kushtetua dhe ligjet në fuqi, por kurrsesi përmes veprimeve të dhunshme.

Misioni i EULEX është i pranishëm në Kosovë me ftesën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si synim kryesor i tij është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Prandaj, çdo veprim i dhunshëm kundër pjesëtarëve dhe aseteve të këtij misioni është i papranueshëm dhe rrezikon integrimin e shtetit tonë demokratik në Bashkimin Evropian dhe në NATO”. thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG