Lidhje

Australia, Japonia, Vietnami, përpjekje të përbashkëta kundër virusit H1N1


Specialistë të sëmundjeve infektive nga Australia, Japonia dhe Vietnami po kryesojnë një seminar ndërkombëtar në Sidni të Australisë. Mjekët po ndajnë përvojën e tyre me pacientë, që janë prekur nga virusi H1N1.

Virusi H1N1 është përhapur me shpejtësi nëpër botë, që kur u shfaq në Amerikën e Veriut në fillim të këtij viti, megjithatë shkaku i tij kërcënues vazhdon ta bëjë atë mister.

Ndarja e ekspertizës do të ndihmojë shkencëtarët të krijojnë një pasqyrë më të plotë të kësaj sëmundjeje ngjitëse në sistemin e frymëmarrjes.

Në Australi më shumë se 130 veta kanë vdekur nga gripi H1N1 dhe numri i infektimeve i ka kaluar 32 mijët, ndërsa ky vend i afrohet fundit të dimrit në hemisferën jugore.

Në spitalin Royal North Shore të Sidnit një lidhje satelitore u ka bërë të mundur mjekëve nga Vietnami dhe Japonia që të paraqesin studimet e tyre dhe të ndajnë përvojat në përpjekjet për gjetjen e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje, që mund të shkaktojë edhe vdekjen.
Profesori Kris Denis, mjek i sëmundjeve të frymëmarrjes, i cili kryeson seminarin, tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është një element jetësor në luftën kundër gripit të derrave.

“Mendoj se bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm meqë kjo sëmundje do të përhapet në gjithë botën, nëse nuk është përhapur tashmë. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një strategji globale për të parandaluar këtë sëmundje”.

Vietnami ka njoftuar më shumë se 2 mijë raste të virusit H1N1 dhe deri tani dy të sëmurë kanë vdekur.

Vdekjet e kohëve të fundit në Japoni bënë që qeveria të paralajmëronte se një epidemi me përmasa të mëdha mund të ketë filluar. Qeveria llogarit se në Japoni janë konfirmuar rreth 110 mijë raste të virusit H1N1.

Australia do të shtojë mbrojtjen ndaj përhapjes së virusit H1N1 kur të fillojë vaksinimet në masë muajin e ardhshëm, pasi zyrtarët hartuan një projekt të aftë për të mbuluar vaksinimin e të gjithë popullatës prej 21 milion banorësh.

Procesi është përshpejtuar pasi rezultat premtuese u diktuan në analizat tek njerëzit, të cilat filluan nga fundi i korrikut. Zyrtarët e shëndetsisë thonë se provat me vaksina kanë kaluar mirë dhe Australia mund të jetë vendi i parë në botë që fillon programin e imunizimit në masë. (ze)

XS
SM
MD
LG