Lidhje

Majkëll Xhekson ka vdekur nga niveli i lartë i substancës propofol


Mjekët ligjorë në Los Anxhelos arritën në përfundimin se ylli i muzikës pop Majkëll Xhekson ka vdekur për shkak të nivelit të lartë, në masë vdekjeprurëse të substancës së fuqishme anestezike propofol.

Në dokumentet e gjykatës që u bënë të njohura të hënën në Huston të Teksasit, thuhej se përfundimi u arrit pasi u bë autopsia e Xheksonit nga mjeku ligjor i Distriktit të Los Anxhelosit.

Hetuesit thanë se po i përqëndrojnë tani hetimet në përdorimin e ilaçeve me recetë nga Xheksoni dhe rolin e mjekut personal, Konrad Mërri. Doktor Mërri ka një zyrë në Hjuston. Ai ka pranuar se i ka dhënë Xheksonit një kombinim të propofolit me mjekime të tjera ditën që ai vdiq dhe se e ka trajtuar pacientin për pagjumësi.

Administrata amerikane e Ilaçeve thotë se nuk ka të dhëna, sipas të cilave doktor Mërri të ketë porositur, blerë, apo poseduar propofolin anestezik, një ilaç i fortë për të vënë në gjumë.

Agjencia Associated Press njoftoi se vdekja e Xheksonit është cilësuar si vrasje, gjë që do të thotë se ndaj mjekut të tij mund të ngrihen akuza.

Ylli i muzikës pop Majkëll Xhekson vdiq papritur më 25 qershor në Los Anxhelos. Ai ishte vetëm 50 vjeç. (ze)

XS
SM
MD
LG