Lidhje

Incident në veriun e Mitrovicës, shtatë të plagosur

  • Zëri Amerikës

Shtatë persona, pesë nga të cilët shqiptarë dhe dy serbë, u plagosën lehtë në një incident në veriun e Kosovës. Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë dy grupe serbësh e shqiptarësh që hodhën gurë mbi njëri tjetrin. Serbët kundërshtojnë fillimin e rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në një lagje në veriun e qytetit, të cilat ishin shkatërruar gjatë luftës së fundit. Policia tha se ka vënë gjendjen nën kontroll dhe situata në qytet është e qetë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se qytetarët e vendit pavarësisht përkatësisë së tyre etnike duhet të ndihmojnë ndërtimin e demokracisë dhe jetës së përbashkët e jo të pengojnë ndërtimin e Kosovës.

“Ne e dimë se ajo pjesë e veprimeve të këqija është e instruktuar nga njerëzit e Beogradit. Mendoj se Beogradi duhet të ketë një rol tjetër, jo këtë që ka deri tash. E ardhmja jonë e përbashkët, e të gjitha vendeve të rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në komunikime ndërshtetërore e jo të vihet zjarr dhe të krijohen tensione të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin”, theksoi presidenti Sejdiu.

Incidente te herëpashershme kanë përcjellë tërë përpjekjet për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës i banuar me shumicë serbe dhe skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG