Lidhje

Me z.Ilir Zherka në zyrën e senatorit Eduard Kenedi


Shqiptaro-amerikanët e kujtojnë me respekt senatorin Kenedi, i cili, thonë ata, tregonte një kujdes të veçantë për të paprivilegjuarit dhe për njerëzit që nuk kishin pushtet. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në zyrën e senatorit ku takoi shqiptaro-amerikanin Ilir Zherka, i cili ka patur rast ta njohë nga afër senatorin Kenedi.

Është një ditë e zakonshme vere në Uashington por jo në Kapitol, ku shtrihet kompleksi i zyrave të Kongresit amerikan.

Në ndërtesën Russell të Senatit, ashtu si edhe në të tjerat, flamuri është ngritur në gjysmë shtize.

Në zyrën e Senatorit Kenedi, një varg njerëzish presin të hedhin përshtypjet e tyre në librin e vizitorëve. Janë njerëz që kanë patur simpati për senatorin Kenedi ose që admirojnë familjen e shquar politike të Amerikës.

Mes tyre është Ilir Zherka, një shqiptaro-amerikan, i cili e ndjen si detyrim moral të vijë përsëri në këtë zyrë:“Është hera e parë që vij në Kapitol, në zyrën e senatorit që nga vdekja e tij. Siç mund ta shihni, këtu është shumë qetësi, pothuajse si një funeral. Ishte një nder për mua të shkruaja disa fjalë në librin e vizitorëve. Shkrova se ne e donim shumë atë dhe se ai do të na mungojë.”

Ilir Zherka ka patur rastin ta takojë senatorin Kenedi në rrethana të ndryshme dhe thotë se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan mban zi për humbjen e tij. Zoti Zherka ka qenë drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan gjatë konfliktit në Kosovë.

"Komuniteti shqiptaro-amerikan kishte një mik të madh tek Ted Kenedi. Ai mbështeti përpjekjet e Kosovës për të fituar lirinë. Ai mbështeti përpjekjet për ndihmë dhe në fakt ai dhuroi edhe çeqe të vegjël ndihme për Kosovën".

Kenedi, tregon zoti Zherka, ishte politikan i cili kujdesej shumë për ata që nuk kishin pushtet, për njerëz si shqiptarët e Kosovës.

"Gjatë krizës në Kosovë ai mes të tjerash bëri thirrje për t’i dhënë fund gjenocidit dhe ishte një mik i jashtëzakonshëm".

Zoti Zherka është sot drejtor ekzekutiv i organizatës DC Vote, e cila punon që banorët e kryeqytetit amerikan të kenë përfaqësim në Kongres.

Ai thotë se senatori Kenedi kujdesej edhe për banorët e Uashingtonit, të cilët nuk kanë të drejtën e votës në Kongresin amerikan dhe nuk kanë përfaqësues në Senat. "Më kujtohet një herë në shtëpinë e tij kur ne po bisedonim mbi strategjinë për të drejtën e votës dhe ai tha: 'Është skandaloz fakti se si e trajton Amerika Uashingtonin. Duhet ta ndryshojmë këtë. Më thuaj se ç’duhet të bëj dhe unë do ta bëj.' Ishte shumë i angazhuar, shumë energjik".

Zotit Zherka i bën përshtypje gama e gjërë e çështjeve për të cilat punonte senatori: "Nga reforma shëndetësore, edukimi, politika e jashtëme, të drejtat civile, të drejtat e grave dhe të moshuarve. Kishte një zemër të madhe dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm".

Zoti Zherka tregon se disa vjet më parë, erdhi këtu mes këtyre kolonave të senatit me djalin e tij dhe me një grup nxënësish. "Senatori Kenedi doli nga zyra dhe foli përpara fëmijëve të cilëve u shpjegoi se si funksionon qeverisja në Amerikë. Ishte i mrekullueshëm me fëmijët".

XS
SM
MD
LG