Lidhje

Arben Malaj në prag të kongresit të jashtëzakonshëm


Në Shqipëri nesër do të mblidhet kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, i cili pritet të bëjë një analizë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe rezultatit që solli humbjen e kësaj force politike si dhe të administrojë kandidaturat për kryetarin e ardhshëm të partisë socialiste pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit aktual Edi Rama.

E gjithë kjo periudhë është shoqëruar me debate brenda socialistëve të ndarë në dy linja: njëra zyrtare e përfaqësuar nga vetë zoti Rama, sipas së cilës humbja në zgjedhje është shkaktuar nga deformimet dhe manipulimet sipas tyre të procesit zgjedhor dhe linja tjetër e një grupi përfaqësuesish socialistë të cilët kritikojnë zotin Rama dhe kërkojnë prej tij mbajtjen e përgjegjësive për humbjen. Ky grup ka propozuar edhe një paketë ndryshimesh statutore të cilat synojnë pakësimin e kompetencave të kryetarit dhe zgjerimin e rolit të institucioneve partiake. Kjo kërkesë e tyre u rrëzua dy ditë më parë nga kryesia, megjithatë sot ata kanë mbledhur firmat e 300 nga afër 1200 delegatët e kongresit për të kërkuar nesër futjen në rendin e ditës të paketës së ndryshimeve në statut.

Kongresi do të hapet nesër me një raport mbi manipulimet që sipas socialisteve janë bërë gjatë procesit zgjedhor e që ata i cilësojnë si krim elektoral. Në pjesën e fundit të kongresit do të dëgjohen edhe platformat e kandidatëve për kryetar, ku konkurrojnë zoti Rama dhe anëtari i kryesisë Arben Malaj.

XS
SM
MD
LG