Lidhje

Irakianët, pikëllim për vdekjen e udhëheqësit shiit al-Hakim


Mijëra irakianë dolën nëpër rrugët e Bagdadit, mes masave të rrepta të sigurisë për të shprehur pikëllimin për vdekjen e udhëheqësit shiit Abdul Aziz al-Hakim.

Trupi i al Hakimit erdhi për t’u varrosur në Irak nga Irani, ku ai kishte shkuar për t’u kuruar për kancerin në mushkëri.

Gjatë një ceremonie në aeroportin e Bagdadit, kryeministri irakian Nuri al Maliki tha se humbja e zotit Hakim ndodh në një kohë delikate për Irakun.

Zgjedhjet paralamentare atje janë caktuar për në janar. Abdul Aziz al-Hakim kryesonte partinë më të madhe shiite, Këshillin Suprem Islamik të Irakut. Vdekja e tij vjen vetëm disa ditë pasi partia Dawa e kryeministrit irakian u shkëput nga koalicioni shiit që ka mbizotëruar qeverinë irakiane që nga viti 2005.

Sot, djali i al Hakimit u bëri thirrje partive që vendosën të mos i bashkohen koalicionit, ta rishikojnë qëndrimin e tyre.

Në Bagdad, përreth xhamive shiite dhe objekteve të tjera të kultit e zyrave të partive politike ishin vendosur masa të rrepta sigurie gjatë funeralit, që pritet të përfundojë me varrosjen e al Hakimit në qytetin e shenjtë Naxhaf. //ii

XS
SM
MD
LG