Lidhje

Luani i Senatit dhe gjurmët e tij në politikën e jashtme


Senatori Eduard Kenedi njihet si një ndër mbrojtësit më të flaktë në luftën për shumë kauza që lidhen me politikën e brendshme të vendit, si për shembull njihen përpjekjet e tij për t’u ofruar kujdes shëndetësor të gjithë amerikanëve, për të ngritur pagën minimale për punëtorët, si edhe për mbështetjen e përgjithshme të të drejtave civile. Por njëkohësisht ai ka lënë pas edhe një trashëgimi të madhe ndërkombëtare, ku përfshihet ndihma që u ka dhënë imigrantëve në mbarë botën, dhe kundërshtimin e aparteidit në Afrikën e Jugut.

Edhe pse ai njihet më tepër për betejat legjislative të bëra në emër të shtresave të varfra amerikane, apo të njerëzve me disavantazhe, senatori Kenedi ishte dhe një kontribues i rëndësishëm në ligjet që kanë ndikuar tek politika e jashtme amerikane.

Ai ishte një nga zërat më të fortë që kërkonin ndërprerjen e luftës në Vietnam, dhe ishte një nga vetëm 23 senatorët që në tetor të vitit 2002 votuan kundër dhënies së autorizimit që ish presidenti Bush të pushtonte Irakun. Historiani Donald Riçi, thotë se Senatori Kenedi nuk e filloi karrierën e tij si një aktivist kundër luftës

“Kur ai erdhi në Senat, ai mund të përshkruhej si një luftëtar liberal i Luftës së Ftohtë, si vëllai i tij Xhon. Ai erdhi në Senat në vitin, 1962 në kohë e krizës së raketave kubane.”

Zoti Riçi thotë se 5 dekadat e Kenedit në Senat e bënë të kuptonte se lufta kishte një impakt të madh mbi fëmijët e mbi njerëzit e thjeshtë, dhe se ndërhyrjet amerikane nuk sillnin gjithonë rezultatet që Amerika synonte.

“Ai ishte një nga kundërshtarët më të fortë ndaj idesë për të vajtur në luftë në Irak. Dhe unë mendoj se kjo nuk ishte diçka instiktive, por diçka që ai e fitoi me kalimin e kohës.”

Në fjalimin e shtatorit të 2002-shit, senatori Kenedi paralajmëroi se një luftë në Irak pa një mbështetje serioze ndërkombëtare do të sillte shpërqëndrim nga një prej çështjeve më të rëndësishme për sigurinë kombëtare amerikane, siç ishte lufta kundër Al-Kaidas.

Ai ishte gjithashtu në Amerikë një nga drejtuesit kryesorë në lëvizjen kundër aparteidit, dhe në një nga udhëtimet në Afrikën e Jugut në vitin 1985, dha një fjalim të fuqishëm për barazinë midis të gjithë njerëzve. Më vonë ai paraqiti projekt-ligjin për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Afrikës së Jugut.

Projektligji kundër-Aparteid u shndërrrua në ligj në 1986, pasi Kongresi hodhi poshtë një Veto të presidentit Ronald Regan.Në këtë luftë të Kongresit, Kenedi pati një rol kyç.

Senatori Kenedi, i cili rridhte nga një familje e imigrantësh nga Irlanda, ndihmoi në negociatat për arritjen e paqes në Irlandën e Veriut në vitet 90, duke i dhënë kështu fund shumë dekadave të dhunshme.

Ai ishte gjithashtu i përkushtuar për të ndihmuar imigrantët në mbarë botën. Xhoël Çarni është zëvëndës presidenti i organizatës Refugees International:

“ Unë mendoj se arritja më madhore e Senatorit Kenedi ishte ligji për imigrantët i 1980-s. Nëse e mendon, atëherë ishte koha kur dhjetëra mijëra imigrantë po largoheshin nga Vietnami dhe Kamboxhia, si pasojë e luftrave që u bënë atje.”

Vitet e fundit Kenedi po punonte që të siguronte me tepër fonde për imigrantë irakianë. Zoti Çarni thotë se dedikimi i Senatorit Kenedit për imigrantët ishte mishërimi i pikësynimit të tij për të ndihmuar të njerëzit e varfër dhe të pambrojtur. //ad//

XS
SM
MD
LG