Lidhje

Admirali Mëllen kritikon komunikimin strategjik të Pentagonit


Ushtaraku më i lartë amerikan ka kritikuar ashpër mënyrën se si Departamenti i Mbrojtjes po realizon komunikimin me botën. Në një artikull në një revistë ushtarake, Admirali Mullen thotë se shpesh herë ushtria i lëshon mesazhet si raketa, pa e angazhuar në bashkëbisedim anën tjetër, duke i demonstruar synimet me vepra dhe jo me fjalë.

Admirali Mullen shkruan se problemi më i madh i Pentagonit është kredibiliteti, që duhet të krijohet përmes besimit dhe marrëdhënieve të ndërsjellta dhe përmes shprehjes së premtimeve. Në një artikull për revistën Joint Forces Quarterly, admirali kritikon konceptin e ri për komunikime strategjike, duke thënë se po i kushtohet shumë vëmendje formulimit të mesazhit, dhe jo politikave aktuale dhe ndikimit të tyre.

Ai shkruan “Me pak fjalë, duhet të shqetësohemi shumë më pak për mënyrën se si t’i shjegojmë veprimet tona, dhe shumë më tepër për mënyrën se si shihen veprimet tona.” Ai shton gjithashtu se “pjesa më e madhe e problemeve të komunikimit strategjik nuk kanë të bëjnë aspak me komunikimin, por janë probleme të politikave dhe zbatimit të tyre.”

Admirali Mullen foli mbi këto çështje këtë javë në kuvendin vjetor të Legjionit Amerikan, ku u shpreh në këtë mënyrë për luftën në Afganistan:

“Kjo s’është thjesht luftë kundër diçkaje; është luftë për një objektiv të caktuar, për të fituar besimin e njerëzve që jetojnë në atë rajon, të cilët, nëse u jepet mundësia, mendoj unë, nuk do ta lejojnë që ata vetë dhe toka e tyre të shndërrohen në strehë të terroristëve.”

Admirali, i cili është njëkohësisht këshilltari më i lartë ushtarak i Presidentit Obama dhe Sekretarit të Mbrojtjes, tha se Shtetet e Bashkuara mund ta fitojnë këtë besim vetëm duke i kuptuar njerëzit që po përpiqen të ndihmojnë dhe duke u shndërruar në mik i tyre i besuar.

Në artikullin e tij ai nënvizon bindjen se mënyra më e mirë e komunikimit është përmes shembujve, përmes ndihmës për ata njerëz, përmes veprave që tregojnë vlera dhe përmes ndërshmërisë kur ka gabime. “Thelbi i komunikimit të mirë,” shkruan ai, “janë synimet e mira dhe përcjellja e mesazhit përmes veprave.”

Admirali Mullen këshillon zyrtarët që kanë ngritur me të madhe idenë e Komunikimeve Strategjike, se nevojitet ndryshim. Ai thotë se Pentagoni duhet të gjejë një përkufizim të ri për këtë proces, në mënyrë që të mos trajtohet si funksion më vete, por si një proces që ndihmon në marrjen e vendimeve të mirë-informuara. Synimi, thotë ai, është të ndërmerren veprime që flasin vetë. //ad//

XS
SM
MD
LG