Lidhje

Senatori Ted Kenedi prehet pranë vëllezërve të tij në Varrezat Kombëtare


Senatori Eduard Kenedi u varros në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në afërsi të Uashingtonit pranë dy vëllezërve Xhon dhe Robert. Presidenti Obama mbajti një eulogji në ceremoninë mortore të zhvilluar dje në një kishë katolike në Boston, duke e cilësuar atë si një njeri të dashur për familjen, si një ligjvënës të madh dhe avokat të fuqishëm për të varfërit, të sëmurët dhe të pamundurit.

Familja dhe miqtë e senatorit të ndjerë Ted Kennedy u mblodhën në afërsi të Uashingtonit për ceremoninë private të varrimit pas një numër ceremonish publike gjatë ditëve të fundit.

Dje paradite gati 1 mijë e 500 vetë morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kishën Our Lady of Perpetual Help Basilica në një lagje të thjeshtë të Bostonit.

Si partriarku i familjes më të famshme politike amerikane, funerali i Kenedit tërhoqi shumë nga elita e Uashingtonit, përfshi tre ish presidentë dhe gratë e tyre.

Muzika ishte gjithashtu e kalibrit më të lartë, përfshi tenorin Plaçido Domingo dhe violinçelistin Yo Yo Ma.

Presidenti Obama theksoi faktin se të qënurit Kenedi sjell me vete përgjegjësi të mëdha por shtoi ai, Eduard Kennedy i tejkaloi ato me cilësitë që kishte.

Sot i themi lamtumirë djalit më të vogël të Rose dhe Joseph Kennedit. Bota do ta kujtojë për një kohë të gjatë djalin e tyre Eduard si trashëgimtarin e një dinastie të fuqishme; mbrojtësin e atyre që s’kanë asgjë; shpirtin e partisë demokrate dhe luanin e senatit amerikan – njeriun që miratoi gati një mijë ligje dhe hartoi 300 të tjera vetë” - the Presidenti Obama në fjalën e tij

Edward Kennedy vdiq nga kanceri në tru të martën në moshën 77 vjeçare. Ai ishte kampion i palodhur i kujdesit shëndetësor universal për të gjithë amerikanët, për të drejtat civile dhe rritjen e pagës minimale për punonjësit gjatë 47 vjetëve të tij në senat.

Pozicionet e tij liberale shpesh e bënë atë të përplasej me ligjvënës konservatorë, por ishte i njohur gjithashtu për gadishmërinë për kompromis për të arritur miratimin e ligjeve.

Ndoshta notat më prekëse gjatë ceremonisë erdhën nga dy djemtë e senatorit Kenedi. Ted Kenedi Jr. Kujtoi një incident menjëherë pasi ai kishte humbur këmbën nga kanceri kur ishte 12 vjeç, kur i ati e ndihmoi të ngjiste një të përpjetë të mbuluar nga dëbora.

Ai më ngriti me krahët e tij të fuqishëm dhe të lëmuar dhe më tha diçka që nuk do ta harrojë kurë. Më tha – E di që mund të ngjisësh malin. Nuk ka asgjë që nuk mund ta bësh.

Pas ceremonisë mortore, trupi i senatorit Kenedi u çua në bazën ajrore Andrews pranë Uashingtonit dhe autokolona me arkivolin e tij kaloi para kongresit për një lamtumirë të fundit nga më shumë se një mijë punonjës dhe qindra qytetarë që kishin dalë në rrugë.

Qindra njerëz u rreshtuan para urës Memorial në Uashington për të parë kortezhin që lëvizte ngadalë për në destinacionin e fundit në Varrezat e Arlingtonit.

Në praninë e familjes së tij të madhe dhe pak miqve të ngushtë, Edward Kenedi u varros pranë vëllezërve të tij të vrarë, presidentit Xhon F. Kenedi dhe senatorit Robert Kenedi.

Ishte ky kapitulli i fundit i një jete të gjatë dhe të plotë në krye të një familjeje të prekur thellë nga tragjeditë dhe triumfet. //mm//

XS
SM
MD
LG