Lidhje

Konsumi i alkoolit dhe duhanit shton numrin e vdekjeve në Rusi


Studimet e fundit tregojnë se rreth 1 milion veta në Rusi vdesin çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga alkooli dhe duhani. Madje gjatë disa viteve të fundit, më shumë se gjysma e vdekjeve në Rusi në grupmoshën 15 deri në 54 vjeçare, u shkaktuan nga alkooli. Këto të dhëna kanë rritur shqetësimin e autoriteteve ruse.

Në Rusi, numri i vdekjeve e tejkalon atë të lindjeve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në Rusi, jetëgjatësia e meshkujve nuk e kap moshën 60 vjeçare. Në Shtetet e Bashkuara, kjo statistikë është 75 vjeç. Sipas statistikave të OKB-së, popullsia e Rusisë po bie me 0.5 për qind në vit.

Një studim i publikuar në gazetën mjeksore britanike, Lancet, arrin në përfundimin se konsumimi i alkoolit dhe duhanit bën që Rusia të ketë një numër më të madh vdekjesh se sa Evropa Perëndimore.

Andrei Demin punon për organizatën jo qeveritare të Shëndetit Publik në Moskë.

"Ky është faktori më i madh i krizën demografike në Rusi, i cili në fakt kërcënon të ardhmen e vendit".

Zoti Demin thotë se një rus i rritur konsumon mesatarisht 50 shishe vodka në vit. Ai fajëson për nivelin e lartë të konsumit, çmimet e lira të alkoolit dhe duhanit.

Në kioskat e Moskës, një paketë cigare shitet për 30 centë amerikanë, ndërsa një shishe birrë është më pak se 1 dollar, - më lirë se uji.

Presidenti rus Dmitri Medvedev, e ka përshkruar krizën shëndetësore si një kërcënim kombëtar. Por Andrei Damin fajëson kryeministrin Vladimir Putin, i cili dështoi të ngrinte taksat e duhanit dhe të alkoolit.

"Si president, zoti Putin ishte i pari që i dha përparësi kësaj çështjeje në programin e tij politik. Në vitin 2000 ai tha se rënia demografike ishte problemi numër një për vendin. Por në fakt, që prej atëhere gjërat kanë ndryshuar shumë pak".

Ministrja ruse e Shëndetësisë, Tatiana Golikova, tha se një ngritje taksash për alkoolin dhe duhanin duhet të zbatohet gradualisht.

"Ngritja e taksave për një produkt sensitiv do të krijonte probleme sociale dhe një rritje e tillë duhet bërë me faza. Ne do të vazhdojmë të përmiqemi për zbatimin e këtij vendimi, por ai nuk do të ndodh menjëherë".

Popullariteti i udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov ra ndjeshëm kur ai vendosi rregullat në pijet alkoolike në vitet 1980.

Qeveria aktuale ka ndërmarrë një fushatë reklamash, duke iu bërë thirrje rusëve që të kujdesen për shëndetin e tyre, madje duke u kujtuar atyre rreziqet që vijnë nga pirja e tepruar e duhanit dhe e alkoolit. //ad//


XS
SM
MD
LG