Lidhje

Gazetat amerikane: Qeveria po nxjerr fitime nga huatë ndaj bankave


Dy gazeta të njohura amerikane njoftojnë se qeveria po nxjerr përfitime nga paratë e shpenzuara për të ndihmuar bankat në kulmin e krizës financiare.

Gazeta "Financial Times" thotë se Rezerva Federale, siç njihet Banka Qendrore e SHBA, ka nxjerrë një fitim neto prej 14 miliardë dollarësh nga programet e huave, që siguruan miliarda dollarë për ta ndihmuar sistemin financiar të vendit, kur ekzistonte paniku për bllokimin e tij.

Gazeta citon një vlerësim të Rezervës Federale dhe zyrtarë të cilëve nuk ja përmend emrin. Po ashtu, gazeta "The New York Times" njofton se ndihma qeveritare për bankat kryesore solli një fitim prej 4 miliardë dollarësh.

Shumica, por jo të gjitha bankat më të mëdha, i kanë paguar huatë e marra nga shteti, me përqindje interesi. Disa politikanë e kanë kritikuar qeverinë që ka dhënë hua të mëdha, duke thënë se taksapaguesit mund të humbin shumë para. Por gazetat shkruajnë se qeveria, megjithatë, mund të ketë humbje të mëdha, pasi disa nga bankat dhe institucionet e tjera financiare nuk i kanë shlyer ende ndihmat e marra nga shteti.//lk

XS
SM
MD
LG