Lidhje

SHBA: Bernanke dhe sfida me të cilën përballet Rezerva Federale

  • M. Ritter

Shefi i Rezervave Federale këtu në Shtetet e Bashkuara, siç njihet këtu Banka Qendrore, Ben Bernanke, po ballafaqohet me një detyrë të rëndë; për të pakësuar, ndihmën e qeverisë për firmat në vështirësi, dhe për të filluar ngritjen e përqindjes së interesit. Por nëse këtë gjë e bën shpejt, atëherë kjo mund të dëmtojë rëndë rimëkëmbjen ekonomike.

Qeveria pohon se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është tkurrur me një ritëm vjetor prej 1 përqind, në muajt prill, maj dhe qershor. Kjo rënie ishte më e vogël nga sa pritej dhe shumë më e vogël se sa në fillim të vitit. Përmirësimi ishte pjesërisht rezultat i ndihmave qeveritare.

Një raport tjetër i publikuar javën e kaluar tregonte se numri të papunëve të rinj shënoi një ulje të vogël.

Ka patur gjithashtu një rënje edhe të numrit të të papunëve në asistencë afat-gjatë nga qeveria.

Të martën e kaluar, Presidenti Barack Obama emëroi Ben Bernaken për një mandat tjetër në postin e kryetarit të Rezervave Federale. Mandati i tij i tanishem prej 4 vjetësh përfundon në janar të 2010.

“Ai u ndesh me një sistem financiar në prag të falimentimit, por arriti që me qetësi e mençuri, me vendosmeri dhe me forma krijuese, të frenojë rënien e lirë të ekonomisë sonë."

Në krye të bankës Qendrore, Ben Bernanke udhëhoqi përpjekjet e jashtzakonshme për të penguar krizën më të madhe ekonomike që nga vitet 30-të. Mirëpo disa ekonomistë thonë se është tepër herët që ai të urohet për shpëtimin e ekonomisë nga kriza.

Zoti Bernanke është ekspert i shkaqeve të depresioneve. Por kritikët pohojnë se ai nuk bëri aq sa duhet për të parandaluar krizën ekonomike.

Ai ka kritikë nga të dy partitë kryesore politike të vendit. Demokrati, Chris Dodd, kryetar i komisionit të Senatit për çështje bankare tha se Ben Bernanke nuk veproi me shpejtësinë e duhur. Kurse shumë republikanë, të të njejtës parti që i përket edhe vetë zoti Bernanke, thonë se ai po shpenzon shumë.

Zoti Bernanke përdori pushtetin e Bankës Qendrore për të shtypur para. Rezervat Federale krijuan programe të reja për dhënien e kredive dhe miratuan blerjen e bonove të thesarit dhe bonove që lidhen me kreditë për blerjen e shtëpive.

Por vendimi i Presidentit për ta ri-emëruar Ben Bernanken për një mandat tjetër, që duhet të miratohet tani nga senati, shikohet si i sigurt. Në mandatin e tij të dytë, atij do t’i duhet të gjejë mënyra se si dhe kur duhet të zhdukë ndërhyrjen e madhe të qeverisë në industrinë financiare dhe të rrisë përqindjet e interesit. Bordi e Rezervave Federale e ka ulur gati në zero përqindjen e interesave afat-shkurtëra.

Shpenzimet e mëdha qeveritare mund të shkaktojnë inflacion nëse zyrtarët nuk gjejnë kohën e duhur për veprim. Por nëse ata veprojnë me shpejtësi dhe në të njëjten kohë rrisin shumë përqindjet e interesit, ekonomia mund të zhytet përsëri në krizë.

Zyra e Shtëpisë së Bardhë për çështjet buxhetore e uli parashikimin e saj për deficitin federal të këtij viti. Qeveria ndoshta do të shpenzojë më pak nga sa ishte parashikuar më parë.

Mirëpo deficiti buxhetor për 10 vjetët e ardhshëm, sipas shifrave të reja, pritet të jetë më i lartë se sa parashikimet fillestare pasi kriza ekonomike ishte shumë më e thellë nga sa ç’mendohej. Por edhe pas përmirësimit të ekonomisë, deficiti pritet të zërë rreth 4 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm. Kjo shifër, sipas raportit të fundit, është më e lartë se sa dëshirohet.

XS
SM
MD
LG