Lidhje

Maqedoni: Të paktën 15 turistë të mbytur në liqenin e Ohrit


Së paku 15 veta humbën jetën sot në ujrat e liqenit të Ohrit kur anija me të cilën po udhëtonin u fundos papritmas.

Në çastin e fatkeqësisë në anije ndodheshin 73 pasagjerë, ndërkohë që anija kishte leje për bartjen e vetëm 45 vetëve.

Autoritetet e shpëtimit thonë se numri i viktimave mund të shkojë në 22. Të mbyturit, shumica shtetas bullgarë, kishin në plan të shkonin për vizitë në Shën Naum.

Presidenti bullgar Përvanov është nisur drejt Ohrit ku ndodhen krerët më të lartë shtetërorë maqedonas dhe disa ministra.

Anija është mbytur në një thellësi prej rreth 300 metrash nga brigjet e liqenit, në anën e Maqedonisë. Kapiteni i anijes, i cili ka marrë plagë të lehta, është marrë në pyetje në policinë e Ohrit. Deri tani zyrtarisht nuk dihen arësyet e fundosjes së anijes por mendohet se shkaku është mbipesha në bord.

Të parët që ofruan ndihmë kanë qenë persona të cilët janë gjendur në liqen me barkat e tyre. Dëshmitarët tregojnë për një pamje rrënqethëse duke thënë se anija ishte ndarë menjëherë më dysh, ndërsa të tjerë kanë parë trupat e pajetë të viktimave në liqen.

Ky është aksidenti më i rëndë ndonjëherë në ujrat e liqeneve të Maqedonisë. Ministri i transporteve ka ofruar dorëheqjen, ndërkohë që qeveria e vendit pritet ta shpallë ditën e nesërme si ditë zie. //mm//

XS
SM
MD
LG