Lidhje

SHBA mund të dërgojnë trupa në Irakun verior


Kohët e fundit, kryekomandanti ushtarak amerikan në Irak tha se për një kohë të kufizuar synon të dërgojë trupa amerikane në një territor të kontestuar në Irakun verior, që të ulen tensionet në rritje mes forcave irakiane të sigurimit dhe milicisë kurde. Gjenerali Ray Odierno tha se objektivi është që të vendoset një farë besimi mes dy palëve dhe të mbudhet boshllëku mes kurdëve dhe arabëve.

Në zonën e kontestuar është edhe provinca Ninevah, e cila kohët e fundit ka përjetuar një seri shpërthimesh të përgjakshme, përfshirë edhe atë në Mosul, një prej qyteteve më të mëdha të Irakut. Shtetet e Bashkuara fajësojnë për dhunën al-Kaidën në Irak.

Trupat amerikane do të dislokoheshin në provincën Ninevah për të bashkëpunuar me milicinë kurde, Peshmerga, dhe me forcat irakiane të sigurimit, të kontrolluara nga qeveria e kryesuar nga arabët.

Kryekomandanti amerikan në Irak, Gjenerali Ray Ordierno, është i shqetësuar se tensionet mes milicisë kurde dhe forcave irakiane të sigurimit mund të shkallëzohen. Ai thotë se forcat amerikane do të ndihmonin të dyja palët të punojnë së bashku, madje për këtë nuk do të duheshin shumë trupa amerikane.

Steven Biddle është analist i çështjeve të mbrojtjes pranë Këshillit për Marrdhëniet me Jashtë në Uashington. Ai tha:
“Mendoj se një prej arsyeve që Gjenerali Odierno synon të dislokojë trupa në Irakun verior është se forcat amerikane gëzojnë një besim unik nga të dyja palët”.


Gjenerali Ordierno thotë se kryeministri Nuri al-Malaki dhe udhëheqësi kurd, Masud Barzani, e kanë mirëpritur propozimin, i cili nuk është finalizuar ende.
Si milicia Peshmerga edhe forcat irakiane të sigurimit patrullojnë territorin e kontestuar dhe e shikojnë njeri tjetrin me dyshim. Analisti Biddle thotë se forcat amerikane do të krijonin një zonë tampon mes të dyja palëve.
“Mendoj se prania e forcave amerikane do të pakësonte mundësinë e dhunës sepse asnjëra palë nuk dëshiron të luftojë kundër trupave amerikane. Prania fizike e forcave amerikane mes dy palëve rivale do të bëjë që të pakësohet dhuna”. - thotë ai


Henri Barkey, analist pranë fondacionit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare me seli në Uashington, thotë se tensionet mes arabëve dhe kurdëve u përkeqësuan kur Shtetet e Bashkuara hynë në Irak në vitin 2003.
“Tani ne po paguajmë çmimin për injorimit e gjithë tensioneve për 6 vjetët e fundit, prandaj edhe milicia Peshmerga është e shqetësuar, veçanërisht rreth situatës në provincën Ninevah. Është e kuptueshme se në këtë provincë shumë kurdë janë të pambrojtur dhe milicia Peshmerga do të dojë t’i mbrojë ata. Pra në një farë mënyre, mendoj se Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjësi, prandaj ndoshta kjo është arsyeja që gjenerali Ordierno dëshiron të dislokojë trupa amerikane atje”.


Në rajonin e kontensuar ndodhet edhe provinca e Kirkukut e pasur me naftë, ku nga shpërthimet më të fundit janë vrarë më shumë se 250 veta. Udhëheqësit kurdë kanë kërkuar për një kohë të gjatë që provinca e Kirkukut si dhe pjesë të provincës Ninevah, ku jetojnë kudët, të bashkohen me Kurdistanin gjysëm autonom. Por qeveria irakiane thotë se territori në veri duhet të qëndrojë nën kontrollin e saj. Zoti Barkey thotë se këto çështje duhen zgjidhur në mënyrë që të ulen tensionet.

Gjenerali Odierno thotë se nëse forcat amerikane dërgohen në këtë rajon të kontestuar, ato do të dislokohen kryesisht në zonat rurale dhe nuk do të qëndrojnë aty pas datës së caktuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit 2011. //mm//

XS
SM
MD
LG