Lidhje

Shqipëri: Presidenti Bamir Topi mesazh parlamentit të ri


Në mesazhin disa minutësh drejtuar parlamentit të ri, Presidenti Bamir Topi duket qartë se është kujdesur të qëndrojë larg polemikave të forta që kanë shoqëruar zgjedhjet e 28 qershorit.

Presidenti, edhe në mungesë të një raporti përfundimtar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nuk ka bërë asnjë vlerësim politik mbi zgjedhjet, duke vënë në dukje vetëm angazhimin e qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, pjesmarrjen e lartë dhe mënyrën civile e demokratike të sjelljes sic nënvizon presidenti: "Duke i përgëzuar, shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për gjithë popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian".

Duke ju drejtuar parlamntit të ri presidenti shprehet se Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë cast drejt rrugës së zhvillimit duke kujtuar së vendi ka përpara sfida të shumta. Për këtë nënvizon kreu i shtetit, "duhet që të gjithë të punojnë bashkë, duke qëndruar larg interesave të ngushta në mënyrë që të forcohen themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike". Por parlamenti rrezikon të mblidhet, nuk dihet se përsa kohë, në një sallë thuajse të përgjysmuar për shkak të vendimit të opozitës socialiste për të mos marrë pjesë. Duket se pikërisht këtij vendimi i referohet presidenti Topi kur shprehet se: "Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë.Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhëtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur tek politika e politikanët".

Në mesazhin e tij kreu i shtetit rendit edhe një sërë cështjesh madhore me të cilat do të duhet të përballet vendi:

"Shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive.Sigurimi i jetës së qytetarëve, forcimi i rendit, arsimimi cilësor i fëmijëve tanë, reformimi bashkëkohor i sistemit shëndetësor, përballja me efektet negative të krizës ekonomike globale dhe lufta kundër varfërisë janë disa nga betejat ligjore që Kuvendi duhet të fitojë gjatë mandatit të tij".

Në mesazhin e tij presidenti Topi I kushton vend edhe rolit që parlamenti shqiptar do të duhet të luajë për të mbështetur konsolidimin e shoqërisë demokratike në Kosovë dhe njohjet e reja ndërkombëtare të saj si shtet I pavarur.

Por ndërkohë presidenti kërkon edhe qëndrime të kujdesshme nga politikanët, ndërsa duket se I referohet, komenteve të para pak kohëve të kryeministrit Sali Berisha mbi një komb të vetëm shqiptar dhe bashkimin e shqiptarëve mbi bazën e idealit të tyre europian sic është shprehur ai. Komente që nxitën interpretime sipas të cilave Tirana mbështet idenë e shumëpërfolur të Shqipërisë së madhe:

"Si vend anëtar i NATO-s duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të besueshëm në zotimet tona individuale, rajonale e globale. Ballkani Perëndimor ndodhet në një proces të pakthyeshëm integrimi, falë edhe një angazhimi të rëndësishëm partneriteti të Shqipërisë me miqtë e aleatët e vjetër dhe të rinj".

Në mbyllje të mesazhit të tij presidenti Bamir Topi ka dashur të garantojë edhe një herë se ai nuk do të dalë përtej rolit të një kryetari shteti si përfaqësues I unitetit të popullit. //mm//


XS
SM
MD
LG