Lidhje

Shtohen konsumatorët që përdorin zarzavatet e fermave lokale

  • Malcolm Brown

Hapja e një kopështi zarzavatesh në Shtëpinë e Bardhë, projekt i iniciuar nga zonja e parë Mishell Obama, i ka ngazëllyer aktivistët e prodhimeve të freskëta, të kultivuar anë vend të prodhimeve organike. Për ata amerikanë që nuk kanë kohën e mjaftueshme, aftësitë apo një copë tokë të përshtatshme, ka një alternativë tjetër që është Bujqësia e Mbështetur nga Komuniteti. Modeli i këtij biznesi ka ekzistuar për shumë kohë, por ata që e kanë përkrahur thonë se ky koncept ka marrë rëndësi edhe më të madhe pasi është shtuar interesimi i konsumatorëve amerikanë për origjinën dhe cilësinë e ushqimit.

Zarzavatet, frutat dhe erëzat e kultivuara në këtë fermë të vogël në Shepherdstoun të Virxhinias Perëndimore nuk janë të destinuara për supermerkatat, por ato do t'u dërgohen drejt për drejt familjeve në zonën e Uashingtonit.

Vetëm disa orë pas mbledhjes në një mëngjes me lagështirë të qershorit, kjo ngarkesë mbërrin në një lagje periferike të Bethesdës në Meriland, rreth 100 kilometra nga ferma.

Fermeri Allan Balliet shkarkon ngarkesën e parë të vitit të seleksionuar në trasta të veçanta, të gatshme për abonentët që furnizohen një herë në javë gjatë sezonit të kultivimit.

Konsumatorët si Margie Orrick paguajnë 600 dollarë për furnizmin me perime të freskëta gjatë një sezoni 18 javor. Orrick thotë se çmimi është i arsyeshëm megjithëse nuk është ky motivi që e ka bërë atë të furnizohet nga kjo fermë, por freskia dhe shija e këtyre prodhimeve organike.

"Ato janë shumë të shijshme me freskinë e tyre. Karrotat, për shembull, as që mund të krahasohen me ato që blihen në dyqan, që ngjajnë si kashtë. Por këtë nuk e kupton deri sa shijon karrotat e ardhura nga kjo fermë".
- thotë ai

Por ka edhe arsye të tjera si ruajtja e pejsazhit rural.

"Është mirë kur e di se nga vjen ushqimi që përdor, e merr atë të freskët, gjë që është më me interes për ne si konsumatorë". - shton ai

Ashtu si fermerët kudo, Allan Balliet është i preokupuar për motin dhe shumë faktorë të tjerë që mund t'i shkatërrojë të mbjellat. Në qoftë se gjithëçka shkon mirë, ai nuk shqetësohet për të ardhurat, pasi konsumatorët paguajnë që në fillim të sezonit dhe kështu fermerët përqendrohen në cilësinë dhe varietetin e prodhimeve.

"Fermat konvencionale funksionojnë tërësisht duke marrë para hua për farrërat, për kimikatet dhe i paguajnë ato pas mbledhjes së prodhimit. Ne nuk marrim para hua. Teorikisht ne kemi buxhetin tonë të depozituar në bankë para se të hedhim farën e parë".
- shton Balliet

Modeli "drejt tek konsumatori" i krijon mundësi Allan Balliet të përdorë varietete të zgjedhura për shijen dhe vlerat e tyre ushqimore, dhe jo për rrezistencën e tyre të magazinimit dhe transportit. Ai thotë:

"Klientët tanë janë kryesisht qytetarë të zakonshëm të zonës së Uashingtonit, megjithëse ne kemi edhe disa kuzhinierë profesionistë për familje dhe restorante të ndryshme. Në përgjithësi qytetarët blejnë prodhimet tona për shijen e tyre të mirë, pasi kanë të pakënaqur me çfarë ka në dyqane".

Zoti Balliet thotë se shija e mirë e prodhimeve të fermës së tij e ka burimin tek sistemi bujqësor organik që ai zbaton, i njohur si biodinamikë.

Për shembull, barishtet e këqia dhe organizmat e dëmshme ai nuk i trajton me kimikate por me djegije karburanti.

Bujqësia e Mbështetur nga Komuniteti synon të zgjojë ndërgjegjen e konsumatorëve të cilëve u shërben rreth mënyrës së kultivimit të artikujve të porositur. Ata janë të ftuar të vizitojnë fermën dhe të marrim pjesë me idetë e tyre për të forcuar lidhjet prodhues – konsumator.

Për fermerin pagesa paraprake krijon sigurinë për të ardhurat, por Allan Balliet thotë se ajo e bën atë të ndjejë një detyrim më të madh për plotësimin e kërkesave të klientelës së tij. //mm//


XS
SM
MD
LG