Lidhje

Festohet Dita e Punës në Shtetet e Bashkuara

  • Paul Sisco

Sot në Shtetet e Bashkuara po festohet Dita e Punës. Me këtë rast, Presidenti Barak Obama do të mbajë sot një fjalim për Federatën Amerikane të sindikatave të punonjësve. Presidenti Obama do ta mbajë këtë fjalim gjatë një pikniku të kësaj federate në Cincinnati të shtetit Ohio. Ndërkohë, nën-presidenti Joe Biden do të nderojë punëtorët amerikanë duke hapur një paradë me rastin e Ditës së Punës në Pittsburgh të shtetit Pennsylvania. Dita e Punës është një festë kombëtare që e ka zanafillën mbi 100 vjet më parë. Kjo feste u caktua si nderim për 155 milionë punëtorë në Shtetet e Bashkuara, dhe për pjesën më të madhe të tyre është një ditë argëtimi.

Për pjesën më të madhe të amerikanëve, Dita e Punës është më tepër argëtim se sa punë. Shumë prej tyre shkojnë në stadium për të ndjekur një ndeshje, në ndonjë piknik, kalojnë ditën në plazh apo në pishinë. Dita e Punës tradicionalisht konsiderohet si fundi i sezonit të pushimeve verore. Rreth 39 milionë amerikanë shkuan me pushime këtë fundjavë.

Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 6 milionë krahasuar me një vit më parë.

Për të rinjtë, Dita e Punës nënkupton një vit të ri shkollor, që sapo ka filluar ose fillon nesër.

Amerika e festoi për herë të parë Ditën e Punës me paradë në Nju Jork në 5 shtator 1882. Kongresi e dekretoi këtë ditë si festë kombëtare në vitin 1894, në nder të punëtorit amerikan, sindikatave punëtore dhe lëvizjes që ndihmoi për të ndaluar punën e të miturve dhe për t’u garantuar të drejta punëtorëve.

Tradita e paradave vazhdon edhe sot dhe tërheq plot politikanë, që shkojnë me shpresën për të siguruar mbështetje dhe vota:

“Përshëndetje të gjithëve. Në këtë festë me rastin e Ditës së Punës nuk festojmë vetëm fundin e verës. Ne nderojmë edhe burrat dhe gratë që e ndërtuan këtë vend, festojmë lëvizjen punëtore që ka luftuar pa pushim për rritjen e rrogave, për kompensime për punonjësit dhe për përmirësimin e kushteve të punës. Amerika u ndërtua nga krahu punëtor, por sot kjo shtresë e ka të vështirë të sigurojë jetesën në një ekonomi që nuk ofron më mundësi.”

Me këto fjalë u shpreh një vit më parë kandidati presidencial Barak Obama. Ndërkaq në Ditën e Punës, sivjet, Presidenti Obama dhe Amerika ende ballafaqohen me vështirësi ekonomike, megjithëse po shfaqen shenja përmirësimi. Edhe ata që mund ta kishin marrë pushim këtë fund-javë, e kanë mbyllur herët sezonin e pushimeve dhe janë kthyer në punë. /ap/



XS
SM
MD
LG