Lidhje

Thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj romëve në Kosovë


Dy organizata të njohura të të drejtave të njeriut i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare të ndalin valën e re të sulmeve kundër komuniteteve rome.

Human Rights Watch dhe Amnesty International nënvizojnë nevojën për hetime të shpejta për identifikimin dhe ndjekjen ligjore të autorëve por edhe për masa që të parandalohen sulme të tilla në të ardhmen.

Incidente të tilla u njoftuan fillimisht në median rome të Kosovës nga mesi i muajit gusht. Dy organizatat thonë se janë duke punuar për dokumentimin e incidenteve dhe përgjigjen e autoriteteve.

Mënyra e vetme për te ndalur sulmet kundër romëve është që policia dhe prokuroria e Kosovës ta bëjnë të qartë se do t'i nxjerrin autorët para drejtësisë, thotë Human Rights Watch.

Nuk mjafton të reagohet kur incidentet kanë ndodhur, por kërkohet një reagim më aktiv, si zgjerim i patrullimeve policore, për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom, thotë Amnesty International, në një komunikatë për median të publikuar sot në Bruksel.

Dy organizatat thonë se gjatë dekadës së kaluar, autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare vazhdimisht kanë dështuar në mbrojtjen e komuniteteve pakicë nga dhuna dhe frikësimet dhe kjo i ka lënë romët të ekspozuar ndaj sulmeve./ap

XS
SM
MD
LG