Lidhje

Presidenti Obama, thirrje Kongresit për reformën shëndetësore


Fjalimi mbëmshëm i Presidentit Barak Obama para dy dhomave të Kongresit mbi çështjen e reformimit të kujdesit shëndetësor po tërheq reagime nga ana e ligjvënësve. Presidenti përdori një gjuhë të prerë për të qartësuar se cfarë do të sillnin propozimet për reforma, dhe u zotua për vazhdimin e kërkimit të mbështetjes dypartiake, por tha se koha për lojra politike me kujdesin shëndetësor ka marrë fund.

Presidenti Obama tha se sistemi i tanishëm i kujdesit shëndetësor e ka çuar vendin në një kulm vështirësish, duke rënduar klasën e mesme të amerikanëve që përpiqen të paguajnë për kujdes shëndetësor, në pamundësi për ta patur.

Duke thënë se Amerika është e vetmja demokraci e përparuar dhe i vetmi vend i pasur që lejon vështirësi të tilla për miliona shtetas të vetë, presidenti tha se ka ardhur koha për t’i lënë mënjëanë politikat dhe të zgjidhet problemi:

“Koha për fjalë ka marrë fund. Koha për lojra ka kaluar. Tani është stina për veprim. Tani është koha kur ne duhet të sjellim idetë më të mira të të dyja partive së bashku dhe t’i tregojmë popullit se ne jemi në gjendje të bëjmë atë për të cilën jemi dërguar këtu. Tani është koha për të zgjidhur problemin e kujdesit shëndetësor”.

Presidenti Obama tha se propozimet për reformën, që përllogaritet të kushtojë 900 miliardë dollarë gjatë një periudhe 10 vjeçare, do të sillte siguri e qëndrueshmëri për personat e siguruar dhe do të bënte të mundur për dhjetra milionë amerikanë që nuk janë në gjendje të përballojnë sigurim shëndetësor për t’u siguruar nëpërmjet një sistemi konkurues mes kompanive private.

Republikanët nga ana e tyre, duke e lavdëruar presidentin për oratorinë e tij, thane se ai nuk arriti të japë hollësi rreth propozimeve të veta dhe ritheksuan kritikat se propozimet e demokratëve do të përbënin një taksë të re të rëndë për amerikanët dhe bizneset e vogla, si dhe do të shtonin deficitin buxhetor.

Ligjvënësi republikan Çarls Boustany, i cili është edhe mjek kirurg, iu përgjigj fjalimit të presdientit:

“Është e qartë. Amerikanët duan reformimin e kujdesit shëndetësor, por ata duan që udhëheqësit e tyre t’a reformojnë siç duhet. Shumë amerikanë donin që presdienti t’i thoshte kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Pellosi, udhëheqësit të shumicës në Senat, Reid dhe pjesës tjetër të Kongresit se është koha për të filluar punën mbi një plan të arsyeshëm dypartiak që synon uljen e kostos së kujdesit shëndetësor krahas përmirësimit të cilësisë së tij”.

Republikani nga Virxhinia Erik Kantor tha se presidenti nuk arriti të japë hollësi të mjaftueshme ose të ofrojë propozime me të cilat amerikanët do të ndjeheshin të lehtësuar a të kënaqur.

Gjatë fjalimit të presidentit pati një kujtesë të faktit se sa e thellë është bërë ndarja mes dy partive për çështyjen e reformës së kujdesit shëndetësor.

Kur Presidenti po fliste për imigrantët e paligjshëm duke thënë se në bazë të planit të tij ata nuk do të përfitojnë kujdes shëndetësor, kongresmeni republikan Joe Wilson i Karolinës së Jugut thirri "Gënjen!"

Më pas, thirrja e tij u dënua nga kolegët republikanë dhe zoti Wilson kërkoi të falur duke thënë se ishte nxituar nga zjarri i momentit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve demokratja Nenci Pelosi ka thënë se alternativa për sigurime shëmdetësore të drejtuara nga shteti është thelbësore që të mund të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve.

Deri tani, tre komisione në Kongres kanë miratuar variante të reformës në kujdesin shëndetësor, të cilat do të shkrihen në një ligj të vetëm.

Dje kryetari i Komisionit të Senatit për financa, Maks Baukaus bëri ditur se do të fillojnë punën për një variant tjetër të këtij ligji që do të hidhet për votim edhe nëse republikanët nuk e mbështetesin atë:

“Dera është e hapur por pavarësisht nëse republikanët do t’i bashkohen përpjekjeve dypartiake, unë do të vazhdoj me votimin.”


Duke iu drejtuar kundërshtarëve të planit të tij, presidenti Obama u përqëndrua tek ato që ai i quajti taktika frikësuese në vend të një debati të ndershëm, dhe në pretendimet e republikanëve se plani për reforma do të çonte drejt vënies së kujdesit shëndetësor nën kontroll të qeverisë.

Presidenti tha se ai do të vazhdojë të kërkojë pika të përbashkëta dhe do të jetë i hapur ndaj propozimeve serioze, por jo ndaj shtrembërimeve:

“Duhet ta dini se unë nuk do të humbas kohë me ata të cilët kanë bërë llogari se është më mirë të luhet me politikë për ta hequr qafe këtë plan sesa ta miratojnë atë. Unë nuk do të rri anash si vëzhgues derisa grupet e interesave të posaçme përdorin të njejtat taktika për ti lënë gjërat ashtu siç janë. Unë nuk do të pranoj status kuonë si një zgjidhje. Jo këtë. Jo tani.”

Presidenti Obama tha gjithashtu se nuk do të favorizonte një ndryshim të menjëherëshëm që do të pengonte funksionimin e kujdesit shëndetësor që amerikanët kanë tani, por do të preferonte punën mbi baza të praktikave që japin rezultat dhe rregullimin e praktikave që nuk funksionojnë. //rd

XS
SM
MD
LG