Lidhje

Sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe shqetësimet e shëndetit

  • Martin Phillips

Kanë kaluar 8 vjet që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Megjithatë vazhdojnë debatet rreth ritmit me të cilin po bëhen rindërtimet në vendin ku ndodhej Qendra Botërore e Tregëtisë dhe nëse një numër i madh njerëzish kanë mbetur të sëmurë për shkak të sulmeve.

Shumica e njujorkezëve e mbajnë mënd fare mirë mëngjesin e pastërt dhe paqësor të 11 shtatorit 2001, por ai imazh u trondit rëndë në orën 8:46 të mëngjesit kur u godit kulla e parë e Qendrës Botërore të Tregëtisë. Anxhela Xhekson shikonte kullën nga zyra e saj aty pranë.

“Pashë një të çarë të madhe, njerëzit që hidheshin nga ndërtesa dhe të gjithë ishin të tmerruar. Pjesëtarë të familjes time filluan të më telefononin”.

Disa minuta më vonë u godit kulla e dytë. Nëpër rrugë kishte kaos.

“Disa njerëz i zuri tmerri, të tjerë qanin, ose përpiqeshin të ndihmonin njerëzit e plagosur nga xhamat e thyer të ndërtesës”, thotë Anxhela.

Pas pak orësh pati zhvillime të tjera tronditëse: Njëra prej kullave u shëmb e më pas edhe tjetra.

Këto fotografi janë ngulitur në mëndjen e shumicës së njerzve. Kathlin Kros ishte në apartamentin e saj në lagjen Battery Park City.

“Çdo gjë u mbulua me të bardhë, i gjithë ky jeshillëk i bukur u mbulua nga pluhur i bardhë”.

Për t’u habitur, brënda një jave bursa e New Yorkut u rihap. Më pas, u hapën edhe biznese të tjera. Megjithatë, punonjësit, që u kthyen thonë se edhe pas disa muajsh ajri kishte një shije të helmët.

“Ndjehesha sikur të 5 shqisat më ishin sulmuar. Shijen e helmët mund ta ndjeje në çdo drejtim. Ishte e pabesueshme”, thotë banorja e Nju Jorkut, Kesën Xhon.

Kesën iu krijuan probleme të frymëmarrjes, madje sot ajo vuan nga astma.

“Jam e bindur se qëndrimi im në atë mjedis më ka shkaktuar problemet shëndetsore që kam tani”.

Ky është shqetësimi kryesor me të cilin përballen tani autoritetet. Sa njerëz u sëmurën nga tymi helmues pas rrëzimit të dy kullave në Nivelin Zero? Kller Kalladajn drejton grupin 9-11 Shëndeti Tani. Ky grup thonë se numri i të sëmurve është dhjetra mijëra.

“Helmet e pranishme në Qendrën Botërore të Tregëtisë ishin shumë të forta dhe prekën gjithë trupin; përfshirë edhe sistemin nervor. Ekspozimi ndaj këtyre elemtëve helmues ishin shumë serioz”.

Megjithatë, shumë njerëz erdhën të banonin këtu sepse u tha që çmimet e shtëpive ishin të arsyeshme.

Alison Kasillo erdhi për të banuar në lagjen Battery Park City, 7 muaj pas sulmeve, megjithëse kishte dëgjuar rreth ajrit të helmët.

“Zakonisht njujorkezëve u pëlqen të jetojnë në apartament dhe unë e bleva apartamentin tim me çmim shumë të mirë”.

Pas një viti, ajo u diagnostikua me një sëmundje të mushkërive, që vështirëson frymëmarrjen.

Nuk ka prova që ajri i helmët të ketë shkaktuar gjendjen e saj apo azmën tek Kaesun John, por nuk ka dyshim se sulmet e 11 shtatorit e kanë traumatizuar psikologjikisht këtë qytet. Sidoqoftë të gjithë mezi presin të shikojnë ndërtimin e këtyre kullave, në bazë të këtij plani zyrtar.

“Ka arsye që ne banojmë në këtë qytet: Ne jetojmë këtu për kulturën dhe për njerëzit e qytetit. Ekziston një nivel i pranueshëm rreziku për të qënë pjesë e këtij qyteti”.

Rindërtimet në Nivelin Zero sapo kanë filluar, madje ato janë shumë mbrapa të shoqëruara nga debate kontradiktore lidhur me koston dhe se kush do të paguajë. Sidoqoftë nesër, në këtë ditë të caktuar si Dita Kombëtare e Shërbimit dhe Kujtimit, këtu do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore për nder të atyre që humbën jetën. (ze)

XS
SM
MD
LG