Lidhje

Librat dixhitalë, e ardhmja e tyre dhe preferencat e lexuesve


Shoqata e Botuesve Amerikanë thotë se shitjet e librave elektronikë kapën 12 milion dollarë në muajin qershor, një rritje prej 150 përqind krahasuar me qershorin e një viti më parë. Edhe prodhuesit e ekraneve të dorës për leximin e librave elektronikë njoftuan për një rritje të shitjeve.

Rrjeti i tregtimit të librave në internet, Amazon.com thotë se shitjet e pajisjes për leximin elektronik, të quajtur Kindle, i tejkaluan parashikimit që nga hedhja e tij në treg në vitin 2007. Pajisje të tilla i lejojnë konsumatorët të blejnë libra elektronikë në internet dhe të fillojnë t’i lexojnë në ekran pothuajse menjëherë. Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë teknologji.

Ekranet për leximin e librave elektronikë janë të hollë, sa një revistë dhe mund të mbajnë qindra libra. Ato janë të lehtë për t’u transportuar dhe aty mund të shkarkosh libra nga interneti pa kabëll. Disa nga këto pajisje madje ta lexojnë librin me zë. Shitjet e librave dixhitalë si dhe të ekraneve të leximit po rriten sepse amerikanët vazhdojnë të kërkojnë produkte që i përshtaten shoqërisë së tyre gjithnjë e më dinamike dhe kompjuterizuar. "Patjetër që për mua është shumë më kollaj kur mund të kem një tufë librash brenda një ekrani të vogël." Rrjeti i shitjes së librave në internet, Amazon.com thotë se ka në stok 300,000 tituj librash dixhitalë. Në formë dixhitale, kjo kompani i shet bestsellerat dhe librat e rinj me një çmim prej rreth 10 dollarësh, ndërkohë që librat realë zakonisht kushtojnë shumë më tepër.

Disa autorë dhe botues kanë kaluar në format dixhital për të shkurtuar kostot e prodhimit, si shtypja, shpërndarja dhe magazinimi. Këto kosto zakonisht përbëjnë më tepër se 12 përqind të çmimit të një libri në format tradicional. Librat e shkrimtares Debbi Mack shiten në formë dixhitale. Ajo thotë se botimi në këtë format është një mjet mjaft i vlefshëm për autorin. "Mendoj se kjo i jep autorëve t’i nxjerrin përsëri në treg librat e vjetër që janë zhdukur nga qarkullimi prej kohësh. Nëse nuk gjen dot një botues por e di se ke një produkt cilësor, formati dixhital të jep mundësinë të botosh."

Por kritikët thonë se librat elektronikë nuk janë aq efikasë sa librat tradicionalë të shtypur në letër.

Romani i ri i autores Eugenia Kim shitet në të dy formatet. Por ajo thotë se preferon librin tradicional i cili të krijon një tjetër atmosferë. "Ka diçka të mrekullueshme që të jep kthimi i faqes dhe kur ngjarja shpaloset para teje në faqen e kthyer. Mendoj se kjo vjen nga përvoja që kemi patur si fëmijë me librat."

Të tjerë i shmangen botimeve në format dixhital. Richard Peabody boton poezi dhe tregime vetëm në formë tradicionale. "Mendoj se disa njerëzve nuk u pëlqen kurrsesi ta lexojnë diçka nga ekrani. Në se gjithë ditën punon përballë kompurterit, nuk besoj se mund të të pëlqejë të lexosh edhe librat në ekran." Ndërkohë, kompanitë teknologjike po luftojnë me njëra tjetrën se kush duhet t’i ketë të drejtat dixhitale të shumë librave. Firmat Amazon, Microsoft dhe Yahoo janë kundër një marrëveshjeje që i jep rivalit Google të drejtat për miliona tituj librash. Kompanitë thonë se kjo marrëveshje mund të dëmtojë konkurrencën në tregun e librit dixhital ndërkohë që shtohet numri i konsumatorëve që përdorin ekranet e leximit elektronik.

XS
SM
MD
LG