Lidhje

Kolapsi i "Lehman Brothers" dhe ndikimi në recesionin botëror


Sot mbushet një vit që kur një nga bankat më me traditë në Shtetet e Bashkuara, Lehman Brothers, pësoi një humbje kolosale duke precipituar thuajse një kolaps të sistemit financiar dhe duke sjellë një recesion mbarë-botëror. Sot në përvjetorin e parë të kolapsit të gjigandit financiar, i hedhim një vështrim ndikimit që pati në tregun financiar dhe në kulturën e Wall Streetit kjo ngjarje:

Banka Lehman Brothers kishte humbur afro 6 miliardë dollarë nga asetet e saj brenda një periudhe 6-mujore, si rezultat i kredive të këqija dhe analistët e bursës shqetësoheshin se kompanisë s’i kishte mbetur shumë kohë.

Kur qeveria amerikane doli me vendimin se nuk ishte katastrofë edhe nëse Lehman Brothers do të falimentonte, ky istitucion me traditë, i krijuar para Luftës Civile amerikane, deklaroi falimentimin.

“Vetëm 72 orë na ndanin nga një kolaps i sistemit. Nëse nuk do të ishte deklaruar falimentimi, do të kishte filluar një zhbërje graduale dhe nuk do të kishim arritur të hapnim aktivitetin të hënën”.

Por tani bankat më të mëdha të vendit duket se e kanë marrë veten dhe iu është kthyer oreksi për sipërmarrje të rrezikshme.

Goldman Sachs, JP Morgan Chase dhe banka të tjera, që kanë marrë dhjetëra miliarda dollarë ndihma federale, kanë filluar përsëri të rrezikojnë asete duke blerë letra me vlerë dhe duke investuar në sektorin e financave, aktivitete këto që thuajse u pezulluan plotësisht gjatë kulmit të krizës.

Wall Street-i po bën para përsëri, pak a shumë në të njëjtën mënyrë që solli kaosin e madh financiar një vit më parë. Ende nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i rëndësishëm i rregullave qeveritare për aktivitetin bankar. Masat e propozuara për të mbikqyrur më mirë sistemin financiar dhe për të kontrolluar produktet që bankat u shesin konsumatorëve, janë bllokuar nga lobistët dhe ligjvënësit.

Megjithatë, askush në Wall Street nuk e ka harruar sa pranë humnerës ishte sistemi.

“Për disa ditë, në mbyllje të bursës kishte një shitje në masë të aksioneve dhe nuk e dinim si do të dilnim nga kjo rënie. Sistemi ishte në prag të humnerës, por për fat të mirë ia dolëm”.

Qeveria u angazhua me shpejtësi pas falimentimit të Lehman Brothers, dhe ndihmoi me fonde kolosale për të shmangur kolapsin.

Tani që është ringjallur aktiviteti, është rikthyer disi besimi dhe duket se është zhdukur rreziku i një kolapsi në të ardhmen e afërt, analistët shqetësohen se çfarë mund të ndodhë kur bankierët të fshijnë nga kujtesa panikun e një viti më parë.

“Prirja ime cinike më bën të them: prisni pak vjet dhe njerëzit do ta harrojmë çfarë ndodhi vjet. Diçka tjetër do të dalë dhe do t’i bëjë të mendojnë se këtë radhë është ndryshe. Por edhe kur kohët kanë marrë kahje pozitive zhvillimi, edhe kur jemi drejt rënies, nuk bëhet kurrë fjalë për kushte apo kohë unike”.

Megjithëse parametrat e tregut flasin për rikthimin e fitimit në bursë, nuk bëhet fjalë për ditët e arta që i paraprinë krizës. Për të marrë mbështetje nga qeveria, tani bankat nuk mund të bëjnë më investime deri në 30 herë më të mëdha se vlera e zotërimeve të tyre, siç bënin më parë.

Po ashtu, administrata e Presidentit Obama ka propozuar masa për të reduktuar rrezikun që mund t’i shkaktojnë tregut bankat e mëdha. Bankave do t’u kërkohet të kenë më shumë likuiditete për të përballuar humbjet si dhe më shumë transparencë për aktivitetin bankar, sidomos në lidhje me aktivitet në tregje të rrezikshme.

Një nga elementët e planit Obama është krijimi i një agjencie që mbikqyr tregun e produkteve bankare për konsumatorët, megjithëse pritet që ky element të mos gjejë miratim në Kongres. Industria bankare e ka kundërshtuar me forcë këtë ide.//lk





XS
SM
MD
LG