Lidhje

OSBE-ODIHR nxjerr raportin përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri


Në një raport përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri të publikuar sot, zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR, thotë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan përprarim të prekshëm përsa i përket procesit te regjistrimit dhe identifikimit te votuesve, kornizës ligjore të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore, votimit, numërimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Por këto përmirësime të qenësishme, thuhet në raport, u errësuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë ato gjatë numërimit dhe tabulacionit të votave, të cilat përkohësisht e bllokuan procesin në disa zona. Këto veprime të partive politike e minuan besimin e publikut në procesin e zgjedhjeve.

Megjithëse plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së thuhet në raport, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.

Megjithë kufizimet kohore, thuhet në raport, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet në mënyrë profesionale si dhe ndërmori disa hapa për të rritur transparencën e procesit. Por ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, u vunë re probleme gjatë caktimit të komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulta.

Një zhvillim i rëndësishëm pozitiv, thotë raporti, ishte fakti që për herë të parë, listat e votuesve u nxorën nga regjistri i kompjuterizuar i gjendjes civile. Nga raporti i vëzhguesve del se cilësia e listave të zgjedhësve u përmirësua ndjeshëm krahasuar me vitin 2005.

Në raportin e ODIHR-it thuhet gjithashtu se duke patur parasysh kufizimet kohore, shpërndarja e kartave të identitetit ishte përgjithësisht e suksesshme.

Megjithëse zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë politike tejet të polarizuar, fushata ishte përgjithësisht e qetë dhe u raportuan vetëm disa incidente me dhunë.

Dita e zgjedhjeve, thuhet në raport, ishte përgjithësisht e qetë. Vëzhguesit e vlerësuan pozitivisht procesin në 92 përqind të qendrave të votimit të vizituara por vërejtën një numër shkeljesh procedurale, mes të cilave, përdorimi i bojës, dhe votimi familjar. Sistemi i ri i monitorimit elektronik duket se e arriti vetëm pjesërisht qëllimin e forcimit të besimit dhe të transparencës në procesin e votimit. Me vazhdimin e numërimit, thotë raporti, partitë politike filluan të ndërhyjnë më aktivisht sidomos aty ku rezultatet dukej se ishin të përafërta.

Në një numër qendrash numërimi, thotë raporti i ODIHR-it, kutitë nuk u numëruan ose rezultatet nuk u përfshinë në tabelën agregate.

Shpesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndërhyri vendosmërisht kur u vunë re probleme.//lk

XS
SM
MD
LG