Lidhje

Vdes nga kanceri aktori amerikan Patrik Sueizi


Është ndarë nga jeta në moshën 57 vjeçare, aktori i mirënjohur Patrik Swayze. Emri i tij u bë mjaft popullor me rolet në filmat e famshëm ”Dirty Dancing” dhe “Ghost”. Mbas një beteje prej rreth 20 muajsh me kancerin, Patrik Swayze vdiq mbrëmë në Los Angelos, pranë familjes së tij. Mjaft personalitete të jetës amerikane kanë shprehur keqardhjen e tyre për vdekjen e Patrik Swayze.

Aktori i mirënjohur Patrik Swayze, i cili u shndërrua në idhull për miliona adhurues në mbarë botën përmes filmave “Dirty Dancing” dhe “Ghost”, u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare.

Publicistja e tij, njoftoi përmes një deklarate për shtyp, se “Swayze, vdiq me familjen e tij pranë, pasi u përball me sëmundjen 20 muajt e fundit”.

Patrik Swayze e nisi karrierën si aktor në vitet 80 por suksesi dhe fama erdhën për të në vitin 1987 me filmin “Dirty Dancing”, ku interpretoi rolin e Johny Castle. Në këtë film, ai shkroi dhe këndoi baladën e njohur “She’s like the wind”, kolona zanore e këtij filmi.

Ai u kandidua tre herë për çmim Oskar, me filmat “Dirty Dancing”, “Ghost” dhe “ To wong foo, thanks for everything”.

Vitet 90 ishin të trazuara për aktorin e njohur, i cili pati probleme me alkoolin, dhe u detyrua të shtrohej dhe në një klinikë rehabilituese.

Në mars të vitit 2008 Patrik Swayze, bëri publike sëmundjen e tij, kancer në pankreas. Që nga ai moment, ai iu nënshtrua kurave dhe trajtimeve të ndryshme për t’u shëruar nga sëmundja e pashërueshme.

Në shkurt të këtij vit, Swayze shkroi në gazetën “Washington Post”, artikullin me titull: “Po luftoj me kancerin. Kongres, a do më ndihmosh?” me anë të të cilës ai u bënte thirrje senatorëve të votonin për fonde në Institutet Kombëtare të Shëndetit që të punohej për gjetjen e kurës.

Mjaft personalitete të jetës amerikane kanë shprehur ngushëllimet e tyre. David Hasselhof tha se “Swayze ishte një njeri i mrekullueshëm, me shpirt të mrekullueshëm”.

Larry King shkruan” Patrick Swayze ishte aktor dhe një njeri i mrekullueshëm. Ai ishte një luftëtar i paepur në betejën me kancerin”. Sonte, Larry King do të ketë një emision dedikuar aktorit.

Në intervistën e tij të fundit televizive në fillim të këtij viti Swayze tha se shpresonte të jetonte deri sa të gjendej kura për shërimin e kancerit të pankreasit.

Patrik Swayze, vdiq mbrëmë në Los Angelos, mbas një beteje të ashpër 20 mujore me kancerin, me gruan tij pranë, me të cilën jetoi për 38 vjet, i rrethuar nga adhurimi i miliona njerëzve anembanë botës, të cilët do t’a mbajnë mend gjatë figurën e tij përmes roleve që la pas.

XS
SM
MD
LG