Lidhje

Norman Bolog, njeriu që njihet si "Babai i Revolucionit të Gjelbër" në bujqësi 


Personi që vlerësohet si shpëtimtari i miliona vetëve nga uria në vitet ’60 dhe ’70, vdiq këtë muaj në moshën 95 vjeçare. Norman Borlaug fitoi Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1970 për punën e tij novatore në krijimin e varieteteve të reja të grurit që i rezistojnë sëmundjeve. Reportazhi në vazhdim na njeh me kontributin e këtij amerikani të madh që njihet si babai i Revolucionit të Gjelbërt në bujqësinë globale:

Në Afganistan preokupimi kryesor i zyrtarëve të bujqësisë aktualisht është mbrojtja e grurit nga një kërcënim i ri, një sëmundje që njihet me kodin U-G 99, e cila ka shkatërruar grurin në Afrikë dhe po përhapet në Azinë qendrore.

Edhe në të 90-at, Norman Borlaug i përgjigjej thirrjes për ndihmë. Ai kryesonte një institut që punonte kundër sëmundjeve të kulturave bujqësore:

“Ky është një lloj i ri i ndryshkut të kërcellit dhe ka fuqinë të shkatërrojë varietete gruri në të gjithë botën".

Zotin Borlaug, kjo punë e kthen në profesionin e tij. Ai e filloi punën në vitet ’40 në Meksikë, duke krijuar varietete gruri që kishin imunitet ndaj një ndryshku që kishte shkatërruar kulturat bujqësore në atë vend.

Por arritjen e tij madhore e shënoi më vonë, duke krijuar varietete me rendiment të lartë që jepnin tre herë më shumë prodhim.

Biologët e përsëritën këtë sukses me orizin dhe me këtë lindi Revolucioni i Gjelbërt, që shmangu zinë e bukës që ishte parashikuar se do të kapte Azinë në vitet ’60 dhe ’70 dhe i solli Borlaugut Çmimin Nobel të Paqes.

Sipas kolegut të tij Ren Wang, trashëgimia e Borlaugut është metodologjia shkencore në zhvillimin e varieteteve të reja:

“Mendoj se kontributi më i madh që ka dhënë ai është shembulli që ka dhënë përmes punës dhe përpjekjeve të tij, gjë që e ka shndërruar inxhinierinë gjenetike në bujqësi në një përpjekje botëror".

Zoti Wang drejton një rrjet global me 15 qendra kërkimore që janë rezultat i punës së Borlaugut. Ai shton se Borlaug ka qenë frymëzim edhe për atë vetë:

“Më impresiononte energjia e madhe që kishte ai. I palodhur, i vendosur në angazhimet e tij dhe me një pasion të madh që tregonte në kontaktet me fermerët në fushë. Kjo ka ndikuar tek të gjithë ne. Gjithmonë kishte pikësynimin të përmirësonte jetën e fermerëve."

Energjia dhe angazhimi i Borlaugut nuk u shterën gjatë gjithë jetës së tij. Kur mbushi 95 vjeç, ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se puna për përmirësimin e kulturave bujqësore duhet të vazhdojë:

“Çdo vit popullsia e botës shtohet me 84 milionë vetë."

Në një intervistë të vitit 1971, ai iu përgjigj kritikëve ndaj pesticidit DDT, i cili më pas u ndalua në Shtetet e Bashkuara:

“Jam shumë krenar që jam amerikan, por gjithashtu më tremb histeria. Fillimisht hiqet DDT-ja, më pas hiqen të gjithë pesticidet, dhe më pas kimikatet kundër barërave të këqija, pastaj plehërat kimike, nëse vazhdon kjo histeri. Kur të realizohet ky skenar, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të importojnë ushqim, por e keqja është se s’do të kenë nga ku të importojnë."

Në vitet e mëpasme, zoti Borlaug i zbuti disi pikëpamjet dhe u vu në krye të përpjekjeve për të shmangur përdorimin e tepruar të insekticideve dhe pesticideve. Por angazhimi i tij për të ushqyer botën ishte frymëzimi i tij kryesor. Trashëgimia që ai ka lënë pas vazhdon të frymëzojë brezat që janë në vijën e parë të punës për të ushqyer masat e uritura//lk


XS
SM
MD
LG